‘Virusi përhapet nga valët e muzikës’: Sa e vërtetë është deklarata e ministrit Blendi Klosi

Deklarata e ministrit të Turizmit, Blendi Klosi, shkaktoi jo pak bujë në media, duke u pasur më pas nga lajme të shumta nëpër portale, të cilat e cilësuan deklaratën e tij si “të çmendur” dhe “lajthitje”.
Çfarë tha konkretisht ministri i Turizmit?
Në një intervistë për Report Tv, Blendi Klosi u pyet në lidhje me situatën e paqëndrueshme të muzikantëve, të cilët e kanë të pamundur të performojnë si më parë, për shkak të urdhrit që ndalon muzikën. Në komunikimin e tij, Klosi u shpreh se kjo pyetje nuk duhet t’i drejtohet ministrit të Turizmit, por sidoqoftë shtoi:
“Kjo pyetje i duhet bërë grupit të ekspertëve, të cilët gjykojnë se zonat me muzikë, dhe kjo është e vërtetuar shkencërisht kudo në botë, se valët e muzikës, janë ato që përçojnë [virusin] edhe në distanca, si ne të dy ku mund të mos kemi përçim [të virusit]. Në distanca ku ka valë muzike, përhapja e virusit është shumë e madhe.”
Si mund të interpretohet?
Deklarata e ministrit nuk është mënyrë e duhur shkencore për të shpjeguar situatën, sepse mungojnë termat e saktë, të dhënat, citimet dhe shembujt konkretë, por sidoqoftë nuk është as “lajthitje”.
Çfarë do të thotë kjo?
Fizika elementare na kujton se tingujt janë dridhje që përhapen si valë akustike nëpërmjet një transmetuesi (të gaztë, të lëngët ose të ngurtë). Ekzistojnë të dhëna të konsiderueshme që koronavirusi, përpos kontakteve të ngushta dhe piklave të frymëmarrjes, përhapet edhe përmes ajrit (aerosolet). Tingulli transmetohet përmes valëve dhe teorikisht viruset futën në rrjedhën e ajrit.
Po praktikisht?
Në këtë pikë, duhet t’u referohemi të studimeve.
Studius në Universitetin e Kolorados kryen një eksperiment duke marrë pesë muzikantë të ndryshëm dhe i vendosën në një dhomë me ajër të pastër. Muzikantët interpretuan me instrumente të ndryshme, kënduan me regjistër të ulët dhe të lartë notash, për të kuptuar se çfarë do të ndodhte me ajrin. Sistemi i përdorur në studim kapi rrjedhën e ajrit përreth muzikantëve për të vizualizuar grimcat. Rezultatet treguan se instrumentet prodhuan përqëndrim të ndryshëm të aerosoleve. Për shembull, tromba dhe klarineta prodhuan përqëndrime më të larta të aerosoleve.
Kjo do të thotë se është e sigurt që do të ketë më shumë infektime?
Kjo nuk mund të thuhet, të paktën referuar këtyre studimeve. Sipas Qendrës Kombëtare Amerikane për Informacionin e Bioteknologjisë (NCBI), pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë së Shteteve të Bashkuara, po kryhen studime për të parë se sa potencial ka një këngëtar i infektuar që të transmetojë virusin përmes aerosoleve. Po në të njëjtën kohë, shkencëtarët janë përqëndruar edhe te lloji i muzikës – pasi mendohet se jo të gjitha stilet e këndimit kanë të njëjtin rrezik infektimi – por nuk ka ende të dhëna të sigurta.
Përfundimi?
Në këtë pikë, siç thekson James Hamblin, fizikant dhe specialist i shëndetit publik, njëkohësisht lektor në Yale University, nuk mund të thuhet një Po ose një Jo përfundimtare përsa i përket rrezikut të këndimit dhe muzikës në pandemi. Sipas tij, teorikisht për të minimizuar çdo infeksion të frymëmarrjes: Heshtja është më e sigurt se pëshpëritjet; pëshpërtitjet janë më të sigurta se të folurit; të folurit është më i sigurt se këndimi. Por në të njëjtën kohë ai thekson se muzika dhe këndimi janë pjesë e kulturës dhe jetës sonë, që do të thotë se në këtë pikë duhen menduar edhe zgjidhje të tjera, kreative dhe të përshtatshme për një situatë pandemie. “Është një ardhme e paparashikueshme. Me pak fjalë, sa më shumë punë parandaluese të bëjmë tani, aq më të lehtë do ta kemi më vonë,” përfundon Hamblin.
NCBI thotë se kërkimet shkencore nuk kanë ekzaminuar rregulla të sigurta këndimi për të ulur rrezikun e transmetimit të SARS-CoV2. Ka të ngjarë që rreziku mund të zbutet me praktika të caktuara – si distanca sociale, vendosja e mbulesave te instrumentet muzikore, përdorimi i dezinfektuesve, ajrosja e ambienteve, më pak grumbullime se zakonisht etj. – por rreziqet nuk mund të eliminohen ende plotësisht.