Greqia mbyll kufirin deri më 12 tetor, Ministria e Jashtme: Ja kush do të përjashtohet nga urdhri

Greqia ka zgjatur masat kufizuese me Shqipërinë deri më 12 tetor. Sipas ministrisë greke të Shëndetësisë, mbeten në fuqi kufizimet e lëvizjes për shtetasit shqiptarë që nuk kanë leje qëndrimi në vend ose që dëshirojnë të udhëtojnë për qëllime turistike drejtë Greqisë.
Deri në datën 12 tetor, të drejtën për te hyrë në Greqi e kanë vetëm shtetasit shqiptarë me leje qëndrimi, homogjenët grekë, shtetasit grekë dhe punonjësit sezonalë.
Pas këtij njoftimi ka reaguar edhe ministria e Jashtme shqiptare, që me anë të një njofitmi ka përcaktuar edhe disa prej disa kategorive, që sipas saj, përjashtohen nga ky urdhër penalizues.
Më poshtë njoftimi i plotë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se deri në datën 12.10.2020, mbetet në fuqi ndalimi i hyrjes së qytetarëve nga Shqipëria për në Greqi.
Përjashtohen nga ndalimi i hyrjes:
– Qytetarët Grekë, poseduesit e lejes së qëndrimit, si dhe persona që e kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi;
– Kalimi i kamionave për transport mallrash;
– Hyrja e personave për udhëtime profesionale absolutisht të domosdoshme, që e vërtetojnë me dokumentat përkatëse;
– Veçanërisht për rastin e kufijve tokësorë, poseduesit e Kartës së Posaçme të Identitetit të Homogjenit;
Hyrja në territorin grek apo dhe dalja prej tij, për rastet e referuara më lart, lejohet VETËM nga pikat kufitare të kontrollit të Kakavijës dhe të Kapshticës.
Τë gjithë ata që hyjnë në Greqi duhet të paraqesin:
– Testin negativ për COVID-19 (me metodën PCR), i kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publikë ose privatë të certifikuara në Shqipëri. (nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët e lindur nga 2011 e tutje)
– Vërtetim diagnoze në anglisht. (në të cilën duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës / numri i kartës së identitetit të individit)
– Vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF (Passenger Locator Form), me kodin QR (në adresën elektronike https://travel.gov.gr )