Bie monopoli i Tregut Ushqimor, Bashkia e Tiranës bën tender për ta hapur tregun e dytë në Farkë

Eksponentë të mazhorancës kanë ashpërsuar tonet për Tregun Agro Ushqimor në hyrje të Tiranës, në fshatin Mëzes-Fushë. Sipas tyre, çmimet e vendosura në këtë treg dëmtojnë konsumatorin, por edhe prodhuesit.

Për javë me radhë, zv.kryeministri Erion Braçe tregoi sesi vendoseshin çmimet e produketeve bujqësore, ku më të fituarit ishin vetëm tregtarët. Dhe, disa javë pas këtyre denoncimeve, por edhe të atyre të mëparshmëve që e cilësonin këtë treg monopol, Bashkia e Tiranës ka hapur një tender për të bërë studimin e fizibilitetit të tregut të ri në Farkë.

Gazeta “Shqip” ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, ku bashkia ka akorduar rreth 100 mijë euro për të bërë këtë studim. Në dokumentet shoqëruese të tenderit detajohen të gjitha specifikimet, apo edhe nevoja që ka Tirana për një treg të tillë. Mësohet se firma private do të ketë 12 javë afat për të hartuar studimin e fizibilitetit dhe planit të biznesit për Agregatorin Bujqësor.

Bashkia thotë se në territorin e saj janë regjistruar 834.603 banorë në vitin 2019. Në dokumente thuhet se zinxhiri i tregëtimit të produkteve bujqësore e blegtorale në Tiranë është i organizuar në dy forma: në Tregun Agroushqimor me shumicë Kashar i cili operon në mënyrë private; në 8 tregje publike me pakicë të administruara nga Bashkia Tiranë.

“Është vënë re nevoja për ngritjen e një tregu të dytë shumice (agregator bujqësor) të këtyre produkteve i cili njëkohësisht do të mundësojë një lehtësim në daljen në treg të prodhuesve të zonave rurale të Tiranës si dhe jashtë saj” thuhet në këto dokumente.

Ky treg do të ketë disa faktorë, ku kryesisht lehtësimin e daljes së fermerit në treg, rritjen e prodhimit dhe të ardhurave të fermerit, mirë-organizimi i zinxhirit të tregëtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe specializimi i fermerëve drejt një produkti të përcaktuar.

Mësohet se për ngritjen e këtij tregu, në muajin maj të vitit 2019, është themeluar shoqëria “Tirana Agrikulturë” sh.p.k, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e zotëruar në masën 100 (njëqind) % të kapitalit të shoqërisë nga Bashkia e Tiranës, dhe e cila ka si objekt veprimtarie, ofrimin e shërbimeve në fushën e bujqësisë, blegtorisë, agrikulturës, si dhe grumbullimin dhe shitjen e këtyre produkteve. Në dokumente është përcaktuar edhe vendi ku do të ngrihet ky treg I cili do të jetë me sipërfaqe totale 29450 m2 e ndodhur në Farkë të Vogël.

“Si pozicionim gjeografik zona kadastrale ku bën pjesë pasuria e propozuar për ndërtimin e strukturës së Agregatorit Bujqësor shtrihet midis liqenit të Farkës dhe segmentit Jug-Lindor të unazës së madhe të Tiranës. Ky pozicionim i pasurisë krijon mundësinë e lidhjes së strukturës së Agregatorit me rrjetin rrugor qytetas dhe ndërqytetas nëpërmjet unazës së madhe” thuhet në këto dokumente.

Bie monopoli i Tregut Ushqimor, Bashkia e Tiranës bën tender për

©Copyright Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT