“UÇK-ja është ushtri çlirimtare jo vrasëse, kriminelët janë në Beograd”/ Rama shpërthen pas deklaratës së ministrit serb, Vulin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës ofenduese të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vulin.
Ai ka ironizuar deklaratën e tij, duke theksuar se shpreson që kjo të jetë ‘margjarllëku i një individ’i. Rama ka folur hapur, duke kujtuar krimet e bëra nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës, që nga vrasjet, përdhunimet dhe masakrat.
“Sa i përket UÇK-së, ata janë çlirimtar dhe jo vrasës. Vrasësit janë në Beograd. Ata nuk e ndryshojnë dot një fakt të thjeshtë; nuk sulmoi Kosova Serbinë. Nuk ishin tanket e Kosovës që hapën rrugën e një ushtrie për të bërë spastrim etnik. Ishin ushtarët e Sllobodan Millosheviçit.
Një ushtri e rregullt e përdorur për përdhunime dhe spastrim etnik. Çlirimtarët janë në Kosovë, kriminelët e asaj lufte janë nën dhe disa dhe mbi dhe disa të tjerë në Beograd”, deklaroi kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi se në lidhje me këtë deklaratë të ashpër, duhet të reagojë me urgjencë Presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
“Jam neveritur dje kur kam kuptuar që deklarata e këtij zotërisë nuk ishte meme. Sepse një anëtar qeverie që përpiqemi të ndërtojmë marrëdhënie të mira bashkëpunimi është një gojë kaq e shthurur dhe një mendje kaq e errët. Ekstremistët shqiptar në Prishtinë më akuzojnë se po punoj për Serbinë e madhe, këta të tjerët më akuzojnë se dua të bëj Shqipërinë e madhe.
Presidenti i Serbisë duhet të shprehet për këtë çështje se është ministër i tij i mbrojtjes dhe nuk mund të tolerohen deklarata të tilla. Shengeni rajonal për mua është proces i mbrojtjes së interesave kombëtare dhe rajonale. Serbia nuk mund të hapi gojën për procesin e shpejtë që bëjmë marrëveshje ne Kosovën.
E rëndësishme është lëvizja e lirë e qytetarëve, Shengeni rajonal e heq kufirin me të gjithë. Porti i Durrësit pa diskutim do jetë edhe porti i Kosovës, Bujrum të jetë edhe i Serbisë. Shpresoj të jetë magjarllëku i një individ që ka qenë nën ndikimin e produkteve helmuese ushtarake. Të vazhdojmë e të mos humbasim kohë për arritjen e marrëveshjeve që do u shërbejnë të gjithëve.
Nuk jam në këtë proces për ti bërë qejfin njërit apo tjetrit. Jam që Shqipëria të udhëheqë një proces dialogu rajonal”, u shpreh Rama,
Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin, ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së arritur të premten mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku thuhet se Porti i Durrësit do t’i takojë Kosovës.
Ai, duke iu drejtuar shqiptarëve me termin nënçmues “shiptari”, ka thënë se kryeministri Edi Rama po vazhdon me përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”.
“Si gjithmonë, Bashkimi Evropian nuk do të deklarohet as për këtë gjë. Kjo është përsëritje e një gënjeshtre të ‘Shqipërisë së Madhe’, kinse vjen në formë të natyrshme, ndërsa bashkimi i serbëve në një shtet është kërcënim për paqen”, thuhet në deklaratën e ministrit Vulin, të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
Vulin ka shtuar se vetëm serbët e bashkuar mund ta ndalojnë formimin e “Shqipërisë së Madhe”.