FOTO-VIDEO: Kaosi i trafikut në Tiranë dhe zonat më të nxehta që kërkojnë një plan masash
Të hysh dhe të dalësh nga Tirana me automjet është një nga misionet më të vështira në ditët e sotme.
Radhë të gjata makinash, bori zhurdhuese që bien dhe tymnaja që shpërhapen në ajër, janë vetëm disa nga elementët që i japin kryeqytetit një pamje aspak të këndshme.
Janë të shumtë qytetarët të cilët adresojnë ankesat e tyre pas çdo dite duke kërkuar zgjidhjen e këtij problemi i cili përveç se i kushton minuta të tëra nga koha e tyre, ju shkakton edhe një gjendje të rënduar psikologjike.
Për të mos mjaftuar kantieret e ndërtimit të cilat janë mëse të domosdoshme për integrimin urban dhe përmirësimin e infrastukturës rrugore, ajo që stonon më tepër është qasja e Policisë Rrugore të Tiranës e cila thuajse ka dështuar plotësisht me hartimin dhe zbatimin e një plani të hollësishëm masazh për të ndihmuar zgjidhjen e këtij ngërçi.
Mungesa e një koordinimi profesional nga drejtori i Policisë Rrugore Tiranë Erion Ahmetaj, e ka shndërruar Tiranën në një qytet që prodhon stres dhe kakofoni efektivësh të cilët duke mos pasur asnjë strategji nga titullari i tyre janë të detyruar të orientojnë automjetet në pikat më të nxehta të trafikut.
Problemi i trafikut në Tiranë ka qenë disa herë në fokus të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Rrugore ku herë pas here janë lëshuar paralajmërime ndaj Ahmetajt deri në pezullim nga detyra duke i vendosur në vëmendje keqmenaxhimin të cilin në fund e vuajnë qytetarët me orë të tëra në trafik.
Edhe pse më herët është raportuar për pezullim nga detyra, pasi është dyshuar për shkelje qysh nga emërimi në krye të Policisë së kryeqytetit në Maj 2017, sërish drejtimi i policisë rrugore të Tiranës vijon të shkaktojë kaos për mijëra drejtues automjetesh të cilët të vetmen mundësi që kanë është të adresojnë shqetësimin e tyre në media.
Ndërkohë, punonjës të policisë rrugore, të pyetur lidhur me ngërçin që krijohet, shprehen se urdhëri për të qëndruar nëpër nyjet e nxehta të zhbllokimit të trafikut, herë pas here zhvendoset për të qëndruar pas semaforësh dhe kthesash të cilat ndihmojnë veç për plotësimin e statistikave të gjobitjes së qytetarëve dhe nuk shërbejnë për rehabilitimin e situatës së trafikut.
Më poshtë, “TemA” po përcjell edhe një panoramë të gjendjes së trafikut disa zona të ndryshme të kryqytetit: