BE ‘zgjidh qesen’ dhe jep 20 miliardë euro për Ballkanin; sot pasdite ndahen fondet për çdo vend

Bashkimi Europian ka vendosur që për 10 vjetët e ardhshme të japë për Ballkanin më shumë se 20 miliardë Euro. Lajmin e bën të ditur Radio Evropa e Lirë.
Draft-dokumenti thekson se prioritet do të jenë lidhjet më të mira të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, brenda rajonit, por edhe me Bashkimin Evropian.
“Një gjë e tillë kërkon një angazhim të fuqishëm nga Ballkani Perëndimor për zbatimin e reformave themelore, për thellimin e integrimit ekonomik rajonal dhe për zhvillimin e një tregu të përbashkët rajonal, bazuar në legjislacionin e BE-së, për ta bërë rajonin një zonë më tërheqëse për investime”, thuhet në dokument.
Paketa, e paralajmëruar në kulmin e krizës nga pandemia COVID-19, do të paraqitet nga Komisioni Evropian sot pasdite. Bashkimi Evropian konfirmon se rajoni do të përfitojë shumë nga përpjekjet e intensifikuara, që synojnë “kapërcimin e trashëgimisë së të kaluarës, jo vetëm në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, por edhe të përfundimit me sukses të dialogut, me ndihmën e BE-së”.
Paketa po ashtu parashikon që, përveç granteve, Bashkimi Evropian të ofrojë garanci që ndihmojnë në uljen e kostove për investime publike dhe private dhe, në këtë mënyrë, zvogëlojnë rreziqet për investitorët./GazetaShqip