BE shpall kushtin, Varhelyi: Më lejoni të jem i qartë, pa reformën zgjedhore nuk ka negociata

Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi u shpreh nga Kuvendi i Shqipërisë ku mbajti një fjalim, se vendi ndodhet më pranë se kurrë Bashkimit Europian.
Ai kërkoi që të gjitha forcat politike të punojnë për reformat dhe integrimin e vendit.
“Ka filluar zbatimi i Reformës në Drejtësi, ndaj më lejoni të përgëzoj operacionet e Vettingut për punën e bërë.Po ashtu janë hapur dhe aplikimet për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Shqipëria duhet të ruajë ritmin dhe të vazhdojë me ato reformat të këshilluara nga Këshilli Europian.
Të gjitha institucionet duhet të punojnë me njëra-tjetrën. Ne ju kemi qëndruar pranë dhe vazhdojmë të jemi me ju. Edhe Shqipëria i dha ndihmë BE-së duke dërguar ndihmë mjekësore gjatë pandemisë. Reforma zgjedhore është kyç për në konferencën ndërqeveritare. Shqipëria i ka ndjekur me vendosmëri përpjekjet për reforma. Vendi juaj është pranë përmbushjes së të gjitha kushteve përpara konferencës së parë ndërqeveritare. Sa i takon luftës kundër krimit, është përfunduar krijimi i trupave të reja”, tha Varhelyi.
Sipas tij, reforma zgjedhore është kusht për çeljen e negociatave me BE-në. “Si komisioner i zgjerimit kam mirëpritur marrëveshjen e 5 qershorit 2020 dhe inkurajoj të gjitha palët që të mbajnë fokusin tek këto reformat e domosdoshme të Shqipërisë përfshi reformat që parashikon 5 qershori. Më lejoni të jem i qartë.Reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare. Shqipëria duhet të ruajë ritmin e këtyre përpjekjejeve dhe të vijojë me reformat përkatëse në ato fusha që janë identifikuar qartë në përfundim të takimit të marsit të Këshillit të BE-së”, u shpreh ndër të tjera Varhelyi.
“Vijimsia e reformave nga ana e Shqipërisë do të jetë shumë e rëndësishme sa i takon kuadrit negociues. Të gjitha institucionet duhet të punojnë me njëra-tjetrën për të bërë të pamundur që Shqipëria të ecë përpara në rrugëtimin drejt BE-së”, vijoi më tej komisioneri për zgjerim në BE, Oliver Varhelyi.
Ditën e hënë, me 97 vota Pro, parlamenti votoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke shkaktuar reagimin jo vetëm të opozitës së bashkuar por edhe të faktorit ndërkombëtar që vinte theksin te respektimi i marrëveshjes së 5 qershorit.