Sejko: Nëse nuk ka përkeqësim të situatës së Covid, vitin tjetër do të kemi rikuperim

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh sot se, “ndikimi i pandemisë në ekonomi ka qenë i plotë dhe serioz në tremujorin e dytë, por ka ardhur drejt reduktimit në muajt në vazhdim”.
“Stimuli i njëkohshëm fiskal, monetar dhe financiar, ka rezultuar efektiv në shmangien e pasojave më negative të goditjes. Lehtësimi i masave të distancimit social, stabiliteti i tregjeve financiare, si dhe shëndeti i bilancit të sektorit bankar, përbëjnë premisa për një rikuperim gradual të aktivitetit ekonomik në të ardhmen”, theksoi Sejko.
Guvernatori tha se, “duke gjykuar dhe mbi projeksionet e skenarit bazë dhe balancën e rreziqeve rreth tyre, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Për këtë arsye, norma bazë e interesit për lekun nuk ndryshon dhe mbetet në nivelin 0.5% dhe interesi i depozitave dhe kredive njëditore, mbeten respektivisht në 0.1% dhe 0.9%”.
Në përfundim të diskutimit, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Kushtet aktuale monetare ofrojnë stimulin e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022. Megjithatë, përshkallëzimi i mëtejshëm i goditjes apo krijimi i vështirësive në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, do të kërkonin rritjen e stimulit monetar.
Sipas guvernatorit, Gent Sejko, parashikimi për tkurrjen ekonomike në vendin tonë është 7.6%, ndërsa përmirësimi i situatës ekonomike pritet vitin e ardhshëm.
“Tkurrja ekonomike, BB e BERZH kanë parashkuar një rënie, e cila është në linjë me parashikimet tona. Parashikimi i deritanishëm është deri në 7%, por ndryshojnë javë pas jave, sepse ekonomia është dinamike dhe ne parashikojmë që ekonomia do i rikthehet ringritjes vitin e ardhshëm. Nëse nuk përkeqësohet situata nga Covid. Presim që këto dy-tre muaj të kemi përmirësim të situatës ekonomike”.
Në konferencën për mediat pas mbledhjes së këshillit mbikëqyrës të BSH-së, Sejko theksoi se borxhi është instrumenti bazë për kapërcimin e krizës ekonomike nga pandemia.
“Borxhi është një e keqe e domosdoshme për të gjitha vendet e prekura nga kriza e pandemisë që e kanë rritur borxhin e jashtëm dhe të brendshëm. Parametrat e borxhit janë toleruar për të kapërcyer, si instrumenti bazë për kapërcimin e krizës”.
Guvernatori i BSH-së, thekson se për të kapërcyer krizën duhet të vazhdojmë me politikat fiskale, për të ulur nivelin e borxhit dhe defiçitin buxhetor.
Sa i takon blerjes së eurove, Sejko rendit dy arsyet që BSH ka blerë euro para pandemisë për të ruajtur rezervat dhe se mbiçmimi i kursit të këmbimit ndikonte negativisht në nivelin e inflacionit, por situata ka ndryshuar.