Nga Salianji te Balliu: Sekretet e “Big Brotherit” të PD-së

Lajmi i djeshëm politik në vend ishte zhvillimi që ndodhi në qarkun e Korçës, në lidhje me listën e kandidatëve për deputetë të opozitës që ju nënshkruar një vlerësimi të anëtarësisë.

Një proces që mund të ketë të meta sa të duash, por ka realisht një zhvillim të rëndësishëm pasi i përçon në publik, me një lloj transparence këto ndryshime. Lajmi dje ishte eliminimi i Klevis Balliut dhe Eduard Kaprit nga lista dhe “mbijetesa” apo triumfi i një tjetri politikan të ri nga opozita, Ervin Salianji, nga sprova e “eliminimit nga shtëpia”.

Të tre këto personazhe kanë qenë mjaft të ekspozuar nën projektorët e medias, natyrisht për ngjarje dhe arsye të ndryshme. Secili ka historinë e tij individuale. Salianji dhe Balliu, mjaft të rinj në moshë e kanë në shpinë një mandat deputeti, por që me vendimin e lidershipit e dogjën në vitin 2019. Edhe Salianji edhe Balliu, dolën deputet nga qarku Korçë: I pari në zonën e Maliqit dhe i dyti në Pogradec.

Eduard Kapri, ishte kryetari i bashkisë së Pogradecit, i cili arrit të fitonte në një bashki të majtë, në kulmin e koalicionit PS-LSI. Një politikan i ri, vinte nga bota e biznesit dhe që atëherë u cilësua si fuqi për PD-në se arriti të marrë edhe vota djathtas. Një sprovë e tillë, edhe pse mund të jetë e diskutueshme, e kontestueshme, gjithsesi është një betejë, e politika si logjikë është si lufta; o je fitues o je humbës.

Mirëpo absurdi i këtyre eliminimeve si për Balliun kryesisht, por edhe për Kaprin është se ata u “vranë” nga “zjarri mik”, pra nga anwtarwsia e PD-sw. Ndërsa Ervin Salianji arriti të marrë “OK”, për herë të dytë nga militantwt e djathtë, çka i ka siguruar atij realisht trashëgiminë e Bodes në zonën e Fushës së Korçës apo tw Devollit.

Po t’i referohesh kësaj logjike që ndodhi në Korçë, mund të thuash se aty PD pati një garë reale, që nuk se u duk në qarqe të tjera tek aspekti i eliminimit. Kjo edhe për të mos përçarë më shumë grupimet, apo edhe për të mos i hedhur të humburit në krahët e partive të tjera.

E këtu nis diskutimi se si përgatitet një “kafshë politike” apo “politikan race”. Për ta mbajtur diskursin gjithmonë tek e djathta apo PD, në vitin 2001, i ndjeri Sokol Olldashi u zgjodh deputet nga radhët e listave e forumit rinor, FRPD-sw. Madje ka gjasa që të mos e ketë pasur mbulimin e madh mediatik si kolegët e sotëm.

Arriti që në mandatin e parë të tij, të imponohet si zë i fortë i opozitës në Kuvend, sa mori drejtimin e një Komisioni Parlamentar kundër një “peshe të rëndë” siç ishte Edi Rama, asokohe kryetari popullor i bashkisë së Tiranës. Ndërsa në mandatin e dytë të deputetit, eliminoi një “Peshë të Rëndë” si Agron Duka në zenitin e pushtetit të tij, ministër, biznesmen dhe person me shumë influencë në politikën shqiptare.

Këto beteja i dhanë Sokol Olldashit, “peshën e rëndë” duke e renditur tek “The Top” i listës së njerëzve me influencë në politikë. Humbi betejën e Tiranës me Edi Ramën në 2007, e përballoi gjithashtu si “peshë e rëndë”, por nuk ra asnjëherë si nivel, madje konkurrimi për kreun e PD-së me Lulzim Bashën, pavarësisht procesit e rezultatit e renditi atë në atë që quhet “lider”,

Por ka edhe shembuj të një niveli e politikani tjetër, por që hyjnë te të suksesshmit. Dashnor Sula, nuk ka qenë kurrë një personazh politik i lartë në PD. Prokuror në profesion, u kandidua nga opozita në 2005-n në Peqin si kandidat për deputet dhe fitoi në një zonë që për tre mandate kishte qenë bastion i së majtës, duke e kthyer në “kala të PD”,

Sula ka që në 2013 që nuk është më deputet në Parlament dhe ende nuk është harruar emri. Në Peqin po flitet fuqishëm për “rikthimin e Dashit” si një “akt të kryer”. Sula nuk është Olldashi, por një njeri që ka një impakt të fortë në territor. Është ana tjetër e medaljes së “modelit Olldashi”, por që në fund është gjithashtu fitues. Salianji, me fitoren e brendshme, pra me kualifikimin, provoi se ka punuar më mirë në territor, e ka më seriozisht politikën dhe ka filluar ta ndjejë si profesion.

Në politikë, në fund llogaritet rezultati, pavarësisht shkaqeve dhe pasojave. Është njëjtë si në beteja: o fiton o “vritesh”/Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT