Meta zbulon letrën që i ka dërguar partisë europiane: Ndryshimet në Kod do i kthej mbrapsht

Presidenti Ilir Meta ka njoftuar mbrëmjen e sotme gjatë një interviste në Opinion se do të kthejë mbrapsht në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor të votuara pak ditë më parë pa dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare. Meta tha se nëse Rama nuk do reflektojë pas këtij hapi të tij, atëherë nuk po i fton shqiptarët në zgjedhje por në referendum. Rolin e tij në këtë situatë nuk e quajti palë, por rregullues në të mirë të Shqipërisë.

“Nëse kreu i PS nuk reflekton me kthyerjen mbrapsht të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor,  nëse ai shkel 5 qershorin, atëherë ai nuk i fton shqiptarët në zgjedhje, ai i fton shqiptarët në referendum. Referendumi është si në 90, ose për t’u kthyer te baba e daj që firmosë varjen e Havzi Nelës. Presidenti nuk është në fushatë.

 Është për të mbrojtur kushtetutën. Këta kanë kritikuar gjoja Ramiz Alinë kur në fund të fundit ai ishte partizan dhe para 30 vitesh Shqipëria nga izolimi hyri në hapje. Ramiz Alia u soll në një mënyrë të përgjegjshme”, tha Meta.

Ai tha se i ka dërguar një letër partisë Social Demokrate të Europës për t’i bërë thirrje Edi Ramës të reflektojë. “I kam dërguar një letër të ndërhyjë sa të mundet te kryetari i PS Edi Rama meqë është shprehur gjithmonë për integrimin e Shqipërisë. I kam kërkuar të ndërhyjë te partia e saj motër në mënyrë që Shqipëria ta kalojë këtë kusht të pashmangshëm për t’u integruar. Unë nuk kisha ndërmend ta ktheja votimin e të enjtes sepse nuk janë fëmijë. Marrëveshja e 5 qershorit është ordinere. Ajo u përshëndet nga nivelet më të larta.

Ajo është që do bëjmë zgjedhje të barabarta. Kjo është një normë që e zbaton edhe Kirgistani. Ne jemi vend i NATO-s që duam të hyjmë në BE. Ne jemi një vend anëtar i NATO-s më shumë se prej një dekade. Pas 30 vitesh del një i marrë që do të rrijë përjetësisht në mazhorancë. Në këtë vend 30 vjet si një vend demokratik, kur vjen fjala te zgjedhjet jemi të barabartë. Në zgjedhje e vendosim nëse ti je prapë shumicë apo do kalosh pakicë. Unë kam një shqetësim që nëse nga Shqipëria largohen 12, nga Serbia largohet 1. Edhe nga Kosova largohen më pak”, tha Meta.

Kreu i shtetit deklaroi se edhe nëse PD dhe LSI nuk do shkojnë në zgjedhjet e 25 prillit, në zgjedhje do të ketë opozitë. “Edhe nëse opozita nuk do marrë pjesë në zgjedhje, në zgjedhje do ketë opozitë. Unë nuk përfshihem në zgjedhje. Kjo është angazhim i presdentit të Republikës për të mbrojtur Kushtetutën”, deklaroi Meta./mv. abcnews.al

Back to top button
LAJMET E FUNDIT