Drejtësia e re/ Rama sulmon Metën, Bashën e Kryemadhin: Me këta në krye do të ketë vetëm vështirësi dhe kurrë…

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS, Kryeministri Edi Ram nuk la pa ‘sulmuar’ opozitën dhe Presidencën.
Ndërsa tha se sistemi i drejtësisë ka ende probleme në vend, Rama shtoi se me PS në krye, “do të ketë vështirësi sot, por nesër do të ketë drejtësi”.
Sipas kryeministrit, drejtësia nuk është ende aty ku duhet, por tha se ajo që është bërë deri më tani, tregon se “kush do drejtësi nesër, duhet të mbështesë sot PS”
Ndërsa përmendi Presidentin Ilir Meta, kryeopozitarin Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, Rama tha se me “këta në krye do të ketë vetëm vështirësi dhe kurrë drejtësi”.
“Ne falë faktit që jemi sot në sfidë ku nuk jemi vetëm dhe ku kemi fuqinë e BE si destinacion, do t’i kapërcejmë e tapat. Për të arritur që brenda një dekade të kemi drejtësinë që të tjerët e kanë ngritur në dekada të tëra, sepse nuk e kanë pasur, por e kanë ndërtuar vetë. Të gjithë eksperiencën që ne marrim sot nga të tjerët. E krijuan vetë BE dhe ne tani e kemi aty. Përtej sistemit të drejtësisë, njerëzit kanë shumë të drejtë, të thonë ku është drejtësia sot? Patjetër që nuk është ende aty ku ne e presim, është thjesht një ferishte që po përpëlitet në pelenat e përgjakura të një lindej të vështirë. Por kush tjetër mund ta bënte atë që ne e mundësuam që korporata më e madhe anti-shtet, e gjykatësve e prokurorëve të korruptuar do të çmontohej. Askujt. Kjo është një arsye, qoftë dhe e vetme për të kuptuar se kush do drejtësi nesër, duhet të mbështesë sot PS. Mjafton të dëgjojë Ilir Metën, Saliun, Monikën, Lulin, edhe pse Luli bën ça i thonë këta tre të tjerët, për të kuptuar që me ne në krye ka shumë vështirësi, por nesër do të ketë drejtësi, ndërsa me këta ka për të pasur vetëm vështirësi, por kurrë drejtësi”, tha Rama.