Basha: Pensionistët blejnë me listë në farmaci, vendi në situatë alarmante

Kreu demokrat Lulzim Basha ka ngritur shqetësimin në lidhje me situatën e vështirë ekonomike në vend.
Basha tha se pensionistët e të infektuarit nuk mund të përballojnë kurën dhe masat kundër COVID-19. Ai prezantoi edhe planin e opozitës për trajtimin e pacientëve me Covid në shtëpi, duke ofruar rimbursim të plotë për ta.
“25 prilli për ta është një ditë e largët. Për këtë arsye kemi propozuar që biznesi të mos falimentojë dhe të mbyllë dyert, që pensionistët të marrin 20 mijë lekë shtesë në muaj për maska dhe dezinfektantë. E patë nga ‘Myslym Shyri’ tek rruga e Durrësit gjendjen. Prandaj mbështetja në planin me 5 pika është urgjente, dhe situata përkeqësohet ditë pas dite.
Dje, tek po diskutoja me përfaqësues të farmaceutikës, mu konfirmua ajo që dija, lista në farmaci. Numri i njerëzve që marrin me listë në farmaci po shtohet në mënyrë të frikshme. Blejnë dy kokrra se nuk blejnë dot tabletë e jo më kutinë.
Prandaj kemi propozuar rimbursimin e plotë të trajtimit të pacientëve ambulatorë, sepse kjo kosto shkon në 600 mijë lekë të vjetra minimumi. Ku do t’i gjejnë paratë të infektuarit? Pensionistët”, tha Basha.