“Të tregojë kë ka takuar Presidenti skutave”- Meta i përgjigjet Ramës: Qeveria është rrëzuar prej kohësh

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Edi Rama, i cili foli me tone të ashpra dje në Asamblenë e PS.
Nga Malësia e Madhe, Meta i kërkoi Ramës të tregonte se me kë “Presidenti është takuar skutave”, ndërsa theksoi se “qeveria është rrëzuar prej kohësh”.
“Përse janë kundër 5 qershorit, pse janë kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Përse janë kundër integrimit Evropian? Përse vënë në diskutim integritetin Kosovës?
Përse hodhën në gjyq kryeministrin e Kosovës, kush ua kërkoi? Presidenti është dhe do të jetë i Popullit, Kushtetutës, dhe kam një pyetje për socialistët e ndershëm, kush i ka çuar çështjet në Venecia?
Presidenti nuk ka çuar asnjë çështje. Dy herë shkelësit e çuan presidentin atje dhe menduan që do të blinin një opinion gjysmak gjoja për shkarkimin presidentit.
Të tregojë kë ka takuar Presidenti i Republikës skutave, kur vendin orën dhe ditën? Qeveria është rrëzuar prej kohësh, ju ose nuk i shikoni ose nuk doni t’i shikoni”, tha Presidenti Meta.