PARADOKSI / Kufirin detar, “sa më shpejt” ose Shqipëria rrezikon “perspektivën europiane”. Po si rrinë bashkë edhe kufijtë e ndarë, edhe bashkimi në Europë?

Në një intervistë për mediat greke, kryediplomati grek Nikos Dendias, ka deklaruar se dëshiron që të zgjidhen sa më shpejt çështjet e prapambetura me Shqipërinë dhe nga kjo sipas tij varet hyrja e Shqipërisë në BE.
Mes të tjerash, ministri Dendias ka theksuar se me Shqipërinë ishte nënshkruar marrëveshja e vitit 2009 për kufirin detar, por që sipas tij, nuk pati zhvillim për arsye të panjohura.
“Dëshirojmë me Shqipërinë të zgjidhim këtë çështje të prapambetur sa më shpejt të jetë e mundur. Siç deklarova pak kohë më parë në Parlament, në debatin për ratifikimin e marrëveshjeve të demarkacionit detar me Italinë dhe Egjiptin, shpresoj që hapi tjetër të jetë nënshkrimi i një marrëveshje me Shqipërinë.
Më lejoni t’ju kujtoj se ne kishim nënshkruar një marrëveshje në 2009, por që nuk pati zhvillim për arsyet e njohura. Shpresoj që së shpejti të mundemi të rikapim sërish fillin e bisedimeve përkatëse dhe të arrijmë në rezultate të kënaqshme për të dy palët.
Është e rëndësishme, në kontekstin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe duke marrë parasysh perspektivën evropiane të vendit tonë fqinj, të mbyllen të gjitha çështjet e hapura”, ka thënë ministri grek.
“Nuk është e qartë si mund të rrinë bashkë emergjenca e ndarjes së kufijve me bashkimin në Europë që nënkupton shkrirjen e kufijve” – shkruhet sot në një analizë botuar në versionin print të gazetës DITA lidhur me këtë intervistë.