Ngjela: Moska e Beogradi kanë shpenzuar miliona dollarë për të blerë politikanët e korruptuar, BKH do i fundosë, do hetohen për çdo gjë

Avokati Spartak Ngjela është i bindur se një pjesë e madhe e klasës politike në Shqipëri është e lidhur me Rusinë dhe Serbinë. Sipas avokatit, të gjithë politikanët e korruptuar janë të blerë nga Moska dhe Beogradi, të cilët kanë shpenzuar miliona dollarë për t’i kapur dhe për të ndaluar zhvillimin e vendit.

Përmes një statusi të gjatë në rrjetin social Facebook, duke hequr një paralele edhe me Kosovën, avokati deklaroi se Ballkani Perëndimor është një vend strategjik dhe me një interes të lartë të politikës amerikane dhe si e tillë po kërkohet nga Moska dhe Beogradi që të ndërpriten këto marrëdhënie. Për avokatin, blerja e politikanëve të korruptuar është në dy kryeqytetet shqiptare, Tiranë dhe Prishtinë.

“Po ta shohësh me vëmendje dhe pa u ngutur, me një analizë të thjeshtë e kupton se politika amerikane është në avangardë për bashkimin proshqiptar në Ballkanin Perëndimor. Kjo sepse, Ballkani Perëndimor është një zonë shumë e rëndësishme e interesit amerikan, dhe shqiptarët janë sot populli më proamerikan në këtë zonë. Të tre shtetet sllavë, që në fakt janë pushtues territoresh shqiptare, nuk kanë lidhje fare me interesin amerikan, sepse janë nën influencën ruse.

Prandaj, eliminimi i korrupsionit të lartë shqiptar është një domosdoshmëri për t’i hapur rrugën politikës së re shqiptare. Por, ndërkohë janë dy politika sllave që kanë blerë liderët politikë në Shqipëri dhe në Kosovë: Beogradi dhe Moska. Të dy këta kanë shpenzuar miliona për bllokimin e zhvillimit shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë. Sigurisht për Shqipërinë ky është një turp historik, por ja që është një realitet i hidhur”, tha Ngjela.

Hetimi nga BKH

Por pavarësisht këtyre ndikimeve, avokati sheh si shpresë hetimin e politikanëve të korruptuar nga organet e reja të drejtësisë. Sipas tij, Byroja Kombëtare e hetimit do të jetë ajo që do i fundosë këta të korruptuar dhe do të hetojë çdo gjë, duke shtuar vendi dhe qytetarët kanë hyrë në rrugën e shpëtimit nga këta politikanë.

“Gjithsesi, në funksion të këtij fakti, na duhet të theksojmë edhe një herë që Specialja e Hagës për Kosovën dhe Byroja Kombëtare e Hetimit e Gjykata e Posaçme në Tiranë, janë instrumentet që do të shpëtojnë shqiptarët nga ky turp historik që i ka pushtuar dhe nuk po i lë që të marrin frymë. Opinioni publik në Shqipëri ndërkohë po pret fillimin e hetimit të korrupsionit të lartë shtetëror nga BKH.

Dhe ndërkohë, ngritja e kësaj Byroje tani ka filluar. Domethënë Shqipëria dhe shqiptarët, më në fund, kanë hyrë në rrugën e tyre të shpëtimit. Po Beogradi? Ai le të vijojë të lehë me treshen e vet të deprimuar që po i drejton, se shqiptarët e kanë të garantuar sigurinë dhe historinë e tyre progresive në lidhje me botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Ngjela.

Ngritja e gjykatave speciale në Tiranë dhe në Hagë

Për avokatin, shenjat për hetimin e tyre janë të dukshme, ku sipas tij ngritja e SPAK dhe tashmë e BKH janë kambanë alarmi për të gjithë këta të korruptuar që janë blerë dhe përdoren nga Moska dhe Beogradi. “A kemi ne sot shenja të qarta që kjo reformë panshqiptare po ecën në drejtimin që përcaktuam më lart?

Sigurisht që shenjat janë të plota. Ngritja në funksion të të dy gjykatave speciale, njëra në Tiranë dhe tjetra në Hagë, është shenja-provë e cila na provon se panshqiptarizmi është skemë e politikës amerikane dhe politikës gjermane. Të dyja gjykatat e ngritura posaçërisht për të pastruar politikën shqiptare nga të shiturit e korruptuar, tani është prova që na provon se bashkimi panshqiptar në Ballkanin Perëndimor, në një shtet, është çështje kohe, madje duhet theksuar se kjo është një çështje që i takon të ardhmes së afërt”, tha Ngjela.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT