Pse të gjithë lakmojnë Francën? Një analizë mbi shifra dhe konkluzione zyrtare rreth shqiptarëve azilkërkues

Edmond Bogdani

Që të reflektosh mbi shifrat duhen dhënë shifrat në dhjetë vitet e fundit. Këto shifra janë zyrtare dhe gjenden në internet në sitin zyrtar të OFPRA-s (Zyra franceze për mbrojtjen e refugjatëve dhe apatrideve ose njerëzve pa nënshtetësi) !

Shifra përfshin vetëm kërkesat e para pasi, gjatë qëndrimit në Francë mund të ndodhë që kërkesa e parë të hidhet poshtë në të dy fazat e saj dhe më pas të depozitohet një kërkesë e dytë për rishqyrtimin e dosjes. Kjo bëhet kur, ndërkohë, kanë ndodhur ngjarje që përbëjnë fakte të reja në lidhje me motivet e kërkesës për mbrojtje.

2010 – 411
2011 – 339
2012 – 1744
2013 – 3288
2014 – 1944
2015 – 2215
2016 – 4061
2017 – 7633
2018 – 8261
2019 – 8032 në 123 682 kërkesa të para të regjistruara gjithsej në vitin 2019 në Francë (OFPRA – Raporti vjetor 2019, faqe 21). Shifra e « Marianne » përfshin edhe dosjet që janë depozituar për rishqyrtim gjatë vitit në fjalë. Dhe shifra 8032 përfshin edhe fëmijët shoqërues të prindërve që kërkojnë azil.

Në shifrën e vitit 2019 : 5598 madhorë (+18 vjeç) ; 2434 fëmijë të mitur nën 18 vjeç ; 1219 rishqyrtim ose kërkesë e dytë (OFPRA – Raporti vjetor 2019, faqe 22) dhe shuma është shifra e cituar nga revista franceze « Marianne » ! Rihapja e dosjeve nga ana e shqiptarëve është më e larta në krahasim me kombësitë e tjera – 13,5% e totalit të dosjeve të regjistruara për rishqyrtim (OFPRA – Raporti vjetor 2019, faqe 23). Rishqyrtimi i kërkesës nuk është një e drejtë e përgjithshme, Prefektura përkatëse duhet të bindet që kërkuesi ka një « element të ri » dhe shqiptarët, me sa duket, e gjejnë më shumë se të tjerët « elementin e ri » të rrezikut në rast kthimi në Shqipëri !
Në shifrën e kërkesave për herë të parë janë jo pak të ardhurit nga një shtet tjetër europian, kryesisht nga Gjermania dhe Italia pas refuzimit të kërkesës për azil të bëra në këto shtete.

VITET E PIKUT
2012 – 2013 / 2017/2018 – 2019
Vit piku është 2012 – vit paraelektoral, 2013 : arsyet ndrrimi i pushtetit partiak ;
2016 – një përqindje e madhe e të kthyerve nga Greqia që pas valës së dytë të krizës greke të vitit 2011.
2017 – vit zgjedhjesh,

Ky është vlerësimi im personal dhe më angazhon vetëm mua.

Një arësye tjetër është se në vitin 2016 fituan mbrojtjen 17,5% e dosjeve, domethënë 710 persona ku përfshihen edhe fëmijët ; ja po themi rreth 500 individë të rritur, këta kanë të gjithë ËhatsApp, Viber apo Skype në celularët e tyre dhe, natyrisht, e kanë dhënë urgjent « lajmin e mirë » të « fitimit të letrave » (kjo përdoret) në Francë !
Dikush që nuk njeh njeri që ka shkuar në Francë, e gjen shumë shpejt se në çfarë kushtesh dhe arsyesh mund të kërkosh azil në Francë ; duke pyetur majtas – djathtas do ta gjesh një kafene në Tiranë ku jepen « këshillat » për në Francë, ose për në Gjermani ose për diku tjetër.

Në vitin 2019 dhënia e statusit mbrojtës për shqiptarët ishte më pak se 6 në 100 kërkesa (saktësisht 5,7%). Ndërkohë, përqindja mesatare e mbrojtjeve për të gjitha kombësitë ishte 24%.

Megjithatë nuk besoj se kerkesa e azilit do të ulet, përkundrazi, i gjithë konflikti politik në Shqipëri prodhon vetëm emigrantë. Ekonomia është e para, por edhe fatkeqësitë e dy tërmetëve. Kam përkthyer një dosje ku arsyeja e largimit ishte thjeshtë mbetja pa strehim dhe asnjë ndihmë nga shteti shqiptar (kuptohet që ajo kërkesë nuk do të përfundojë me marrje në mbrojtje nga shteti francez dhe familja do përfundojë një ditë e kthyer forcërisht në Shqipëri) .

Dhe dua ta theksoj, se në shumicën e kërkesave që bëhen për konflikte mes personave ose familjeve ka gjithmonë argumente të një padrejtësie të theksuar të sistemit të drejtësisë.
PERSE SHQIPTARET PREFEROJNË FRANCEN ? Në vitin 2019 : 64% e kërkuesve shqiptarë të azilit në BE ishin në Francë.
Unë do të thosha perse e shfrytëzojnë Francën.
Po veçoj disa grupe të cilat ekzistojnë por nuk mund të them me saktësi duke i ndarë në përqindje në raport me numrin e përgjithshëm të azil kërkuesve. , Kohëzgjatja aktuale, me ngadalësimin e theksuar të procedurave (ndikimi Covid), që do ta marrim vesh pas nje viti, me siguri do të shkojë deri në dy vjet. Megjithëse shqiptarët i nënshtrohen një procedure qe quhet « e përshpejtuar », përsëri afatet e shqyrtimit të kërkesave mbetet pak nën mesataren e shqyrtimit (procedura e përshpejtuar aplikohet për vendet të cilat OFPRA i ka klasifikuar në « vende të treta të sigurta »).
Gjatë procedurës, të gjithë, pa përjashtim, marrin një asistencë në të holla, me të cilat mbijeton ; kanë të mara përsipër të gjitha shpenzimet për shëndetin, dhe familjet strehohen në qendra për pritjen dhe shoqërimin e azilkërkuesve, me një ekip punonjësish sociale të cilët i shoqërojnë për procedurat juridike, administrative, shkollimin e fëmijëve dhe shëndetin.
Para së gjithash dua të theksoj se shqyrtimi i kërkesave të azilit në Francë, zgjat mesatarisht 16 muaj.
– Grupi i parë : Familje, çifte të reja ose individë që nuk kanë asnjë lloj mundësie punësimi për të mbajtur veten ose familjen.
– Individë meshkuj që vijnë për të punuar në të zezë duke shfrytëzuar hyrjen pa vizë në Francë. Këtyre nuk i intereson rezultati i kërkesës së tyre, mjafton që të zgjatet sa më shumë procedura që të fitojnë para për të ushqyer familjen në Shqipëri ;
– Gra të divorcuara me fëmijë të mitur që nuk kanë gjetur mbrojtjen e duhur në Shqipëri ose që kanë patur vështirësi të tejskajshme ekonomike dhe financiare.
– Familje që vijnë vetëm me qëllimin për të shkolluar fëmijët, të zhgënjyer nga sistemi arsimor në Shqipëri.
– Persona ose familje që vijnë për tu kuruar për sëmundje të ndryshme.
– Familje ose individë që kanë probleme të vërteta hakmarrjeje ose konflikte të tjera private
– Komuniteti rom dhe egjiptian për shkak të persekutimit etnik.
– Së fundmi ka një fenomen jo të pakët në numer : shqiptari vjen pa vizë, ka të drejtë të qëndroje 3 muaj pa një ditë, gjatë kësaj kohe punon në të zeze, kthehet në Shqipëri, në vend të tij vjen vëllai ose dikush tjetër, punon edhe ai tre muaj pa një ditë, dhe kështu vazhdon zinxhiri i punësimit në të zezë ! Ky grup nuk bën kërkesë për azil !
KTHIMI VULLNETAR NË SHQIPERI (300€ për person+bileta e avionit+ bagazh 40 kg për person).
Kthimi vullnetar nënkupton se nuk ka asnjë rrezik jete ose persekutimi në rast kthimi në Shqipëri dhe kërkesa e azilt ka qënë abuzive, me mendjen : hajde po e provoj nje herë Francën se jetohet me mirë se në Shqiperi !
Gjeta vetëm shifrën zyrtare të vitit 2018 : janë 2822 shqiptarë që janë kthyer vullnetarisht në Shqipëri ! Përveç kësaj janë 834 shqiptarë të kthyer forcërisht në Shqipëri nga ana e shtetit francez me avionë charter ! Pra, nëse i bëjmë llogaritë, janë 3656 të kthyer në një vit (të rritur+femije) !!!! Shifrat totale për të gjitha kombësitë, per vitin 2018 janë : 10678 kthime vullnetare dhe 15677 kthime forcërisht ose të detyruara.
Per kthimet ka një bashkëpunim shumë të mirë mes autoriteteve franceze dhe atyre shqiptare.

ARTIKULLI I REVISTËS « MARIANNE »
Në këtë artikull jepen « arsyet » se pse shqiptarët largohen nga Shqipëria ! Nuk po komentoj shkrimin në fjalë pasi nuk e njoh gjëndjen në Shqipëri.
Por dua të sjell arsyet qe kanë shkruar shqiptarët në kërkesat e tyre për mbrojtje dhe që janë të shkruar në raportin vjetor të OFPRA-s për vitin 2019 (OFPRA – Raporti vjetor 2019, faqe 46). Revista « Marianne » me sa duket nuk e ka lexuar Raportin Vjetor 2019 të OFPRA-s sepse aty do kishte gjetur motivet e paraqitura nga ana e azilkërkuesve shqiptarë në kërkesat e tyre për mbrojtje.
Franca jep dy lloje mbrojtjesh : mbrojten konvencionale, në aplikim të Konventës së Gjenëves, dhe mbrojtjen dytësore (para dhjetë vitesh perdorej termi azil tërritorial) në aplikim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut..
Shqiptarëve ju akordohet në 98% të rasteve mbrojtja dytësore (në raport me totalin e mbrojtjeve).
Një sqarim paraprak : mbrojtja konvencionale i akordohet çdo personi madhor, i cili ndodhet në tërritorin francez dhe ka qënë i detyruar të largohet nga vendi i tij sepse i rrezikohet jeta ose është i persekutuar, nga shteti i tij ose që shteti i tij nuk e mbron atë, për aresyet e mëposhtme (sipas Konventës së Gjenevës) :
– Për bindjet e tij politike
– Për racen e tij
– Për etninë e tij
– Për besimin e tij fetar
– Për përkatësinë në një grup social të caktuar (p.sh. homoseksualet).
OFRPRA thotë : kërkesa të bazuara në këtë kategori janë kryesisht të romëve dhe egjiptianëve që mund të klasifikohen për diskriminim etnik, për përkatësinë në një grup social të caktuar ose për shfrytëzim prostitucioni.
OFPRA gjithashtu thekson : Kërkesat e bazuara mbi motivet politike mbeten anekdotike dhe konteksti politik përdoret më shpesh si sfond për konfliktet reale që janë të natyres private.
Për mbrojtjen dytësore, qe i jepet me shumë shqiptarëve, OFPRA rendit në arësyet që jepen në kërkesat e tyre me shkrim :
– Probleme të hakmarrjes
– Dhuna në familje (kryesisht gratë)
– Konfliktet private per pronën
– Konflikte borxhesh me huadhënësit
– Konflikte per martesat e detyruara
– Konflikte për martesat me besim të ndryshëm fetar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT