Iu fut politikës, Robert Budina zbulon pse u bashkua me PD-në: Nuk kam asnjë qëllim politik

Partitë Politike janë të prirura që të thithin gjithmonë figura të njohura të ekranit. Personalitete të fushave të ndryshme, nga kultura, arti, sporti etj. Kjo atmosferë që të çon drejt zgjedhjeve të vitit tjetër nuk ka ndryshuar, asgjë, pasi partitë politike sërish janë mbështetur te personazhet, që deri në këto momente, në sytë e publikut kanë qenë apolitikë, por së fundmi janë “bindur” nga partitë tona.
Pyetja që ngrihet është shumë e thjeshtë, çfarë i shtyn këto personazhe të lënë karrierën e tyre pas dore dhe të nisin një karrierë në politikë? PD në këto zgjedhje pikasi me emra si Andi Lila, Klodiana Shala, Gentian Muça, Robert Bodina, Jul Deda, Basir Çollaku, etj.
PS ka afruar në “fushatën” e saj emra si Eli Fara, Kastro Zizo, Gaz Paja, Helidon Haliti, etj. Më herët kishte afruar dhe Erion Isain.
Në emisionin “Shqipëria Live” u diskutua sot çështja e artistëve që i janë bashkuar politikës. Në studio apo në lidhje të drejtpërdrejtë ishin shumë të ftuar të cilët zbuluan arsyet e tyre, se pse u bashkuan me një parti të caktuar politike.
Robert Budina u shpreh se nuk ka qenë kurrë i interesuar që të ishte i përfshirë në politikë, por duke parë problematikat e shumta të artit, vendosi që të merrte vendimin që t’i bashkohej PD-së.
“Artistët nuk kanë ditur kurrë që të mbrojnë njëri-tjetrin, nuk kanë ditur të kërkojnë të drejtat e tyre. Kultura dhe arti nuk kanë marrë kurrë zgjedhje, prandaj u bashkova me PD. Ligji për trashëgiminë është skandal”, tha Budina.
Ai u shpreh se nuk ka asnjë qëllim politik, përveçse dëshiron që artisti të marrë meritën që i takon. Budina u shpreh se nëse nuk i ke idetë e të paqarta, atëherë shfrytëzohesh nga politika. “Nuk kam asnjë sekondë për të humbur. Marrëdhënia ime me PD është e hershme, ne në thelb kemi vlerën, lirinë, konkurrencën. Është mirë kur artistët do të bashkëpunojmë me të gjitha kahet politike, pasi duhet që të jemi lart tyre”, vijoi ai.