Drejtuesja e LSI: Jo koalicion me PD, duhet të dalim si subjekt në vete më 25 prill

Ish-ministrja Klajda Gjosha, një nga drejtueset e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka deklaruar se forca e saj politike duhet të dalë si subjekt në vete në zgjedhjet e 25 prillit.
Në intervistën e dhënë për “5 pyetje nga Babaramo”, Gjosha nuk ishte e qëndrimit që LSI të jetë në një subjekt të shkrirë me PD-në e me listë të përbashkët, pra koalicion.
“Personalisht jam që LSI të ketë logon e saj në zgjedhjet e ardhshme, është e rëndësishme që të mos humbasë emrin, identitetin, sepse zgjedhësit tanë patjetër që do ta kërkonin emrin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në fletën e votimit. Aq më tepër që do të ketë edhe kandidatura përkatëse me emra, ndaj personalisht do të isha për këtë gjë. Por, kjo është diçka që do të vendoset në ditët në vijim, në bashkëpunim edhe me palën tjetër sigurisht”, tha Gjoshaj.
Çështja e aleancave pritet të zgjidhet pasi Presidenti Meta të rikthejë në Kuvend Kodin Zgjedhor ku janë eliminuar koalicionet-tren e për të parë nëse do të ketë rinegocim të kësaj çështjeje që opozita e kërkon me forcë.