Dalin shifrat/ Ja sa pasuri dhe llogari bankare kanë përfunduar nga OFL në SPAK (video)

Pavarësisht kundërshtimeve të forta politike, akti normativ që u cilësua si paketa anti KÇK u miratua në Parlament në 31 janarin e këtij viti dhe që prej asaj kohe, Policia e Shtetit ngriti strukturën përkatëse, që i vuri emrin OFL, operacioni Forca e Ligjit.

9 muaj pas nisjes së punës nga kjo njësi policore, policia ka dhënë vetëm njoftimet zyrtare se kujt i është dërguar formulari për deklarimin e pasurisë brenda afatit kohor të 24 orëve. Ndërkohë, Policia pasditen e kësaj të marte ka publikuar në Facebook disa shifra të këtij operacioni.

Sipas shifrave, Operacioni Forca e Ligjit ka referuar në SPAK mbi 1105 pasuri, nga të cilat 582 janë pasuri të paluajtshme; 339 të luajtshme, 173 janë aktivitete tregtare dhe 11 janë llogari bankare.

Të gjitha këto kanë qenë pasuri për të cilat janë kryer referimet në Prokurorinë Speciale. Po sipas të dhënave zyrtare të Policisë, deri më tani SPAK ka kërkuar sekuestrim të 219 pasurive, kërkesë që është pranuar nga Gjykata Speciale.

Struktura policore OFL ka në përbërjen e saj 50 trupa të specializuar, mes tyre ish anëtarë të forcave speciale të ushtrisë, të stërvitur dhe pjesëmarrës në misione luftarake si në Irak apo Afganistan.

Për të qenë pjesë e kësaj njësie, e cila është trajnuar nga RENEA për një periudhë prej 6 muajsh janë mbajtur parasysh dy komponentë. Njëri prej tyre, ai i inteligjencës që merret kryesisht me shkëmbimin e informacioneve me ndërkombëtarët ndërsa tjetri, ai operativ, që vepron në terren. Në strukturë bëjnë pjesë dhe ushtarakë, të cilët janë trajnuar për t’iu përgjigjur goditjes së elementëve të rrezikshëm kriminalë.

Të gjithë djemtë që janë pjesë e Njësisë “Operacioni Forca e Ligjit” me misionin për të vënë në zbatim aktin normativ të Qeverisë për paketën Anti KÇK janë përzgjedhur me mjaft kujdes. Për ta askush nuk di asgjë. Nga vijnë, çfarë profili, apo formimi kanë. Sa vite punojnë me forcat e Policisë, identiteti, të afërmit, adresat e të tjera.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT