COVID DHE ARSIMI / “Ja kemi shkatërruar ADN-në!” Udhëheqësia në edukim, është një “prodhimtari” që nuk mund të jepet me PPP

Majlinda Keta

Institucionet shkollore në kushtet e një demokracie funksionale bëjnë pjesë në ato lloj institucionesh që ndikimin mbi komunitetet pikë së pari në cilësinë e kapitaleve njerëzore por mbi të gjitha në cilësitë e qytetarisë që ato brendësojnë drejt komuniteteve kontribojnë fuqishëm në parametrat e zhvillimit demokratik dhe socioekonomik të vendeve të ndryshme.

Në konceptet bashkëkohore komunitetet, qytetet inteligjente varen totalisht nga cilësia e edukimit që transmetojnë institucionet e edukimit jo vetëm drejt nxënësve dhe studentëve por përmes tyre dhe drejt familjeve të tyre dhe rrjedhimisht në komunitetet përkatëse. Këtë lloj binomi cilësi, proces edukimi ndaj cilësi e sjelljes së përgjegjshme komunitare e provon edhe kjo kohë covidiane që po kalon e gjithë bota.

Jashtë dhe pavarësisht karakteristikave historiko politike të shteteve, fuqisë së tyre ekonomike apo rolit të tyre në gjeopolitikën botërore ka qenë reagimi, cilësia e sjelljes së komuniteteve ndaj masave shtrënguese ose jo anticovid nga qeveritë ajo që ka vendosur mbi shifrat dhe rezultatet e luftës me të. Kjo situatë sjell edhe njëherë në vëmendje rëndësinë e cilësisë së kapitalit njerëzor që vjen nga cilësia e edukimit në secilin rast referues në shtete dhe qeverisje të ndryshme.

Sot më shumë se kurrë po flitet edhe për qytetarinë digjitale një vlerë, kompetencë njerëzore që na duhet ta zotërojmë përkundrejt përshtatjes së aktivitetit dhe prodhimtarisë njerëzore në kushtet e online. Kam bindjen që jetëgjatësia e Covid19 mes nesh do të ridimensionojë, vlerojë demokracinë edhe në atë digjitale si një oksigjenim që sistemet social politike të mos rrëshqasin në autoritarizëm apo tendenca fashiste.

A është i përgatitur sistemi ynë i edukimit për t’i paraprirë këtyre proceseve?

A po prodhon një frymë udheheqësie e cila do të siguronte ndikimin që komunitetet qytetare të aftësohen për të menaxhuar krizën shumëdimensionale që ka prodhuar pandemia?

A është e mundur që kopshtet, shkollat, universitetet tona të ndërtojnë një proces të tillë aftësimi njerëzor, një aftësim që për atë çka bota mendohet të ketë në bashkëudhëtim ta shenjojë si jë kompetencë tjetër që I duhet të arrijë edukimi?

Për t’ju kthyer realitetit shqiptar në raport me këto çështje, pas investimeve si % në GDP në shifra kritike për sistemin arsimor në këto 30-të vite, faktori i dytë që hedh në erë këtë mision, procesin e udhëheqësisë për cilësitë e kapitalit njerëzor të komuniteteve tona, është cilësia e drejtuesve që përzgjidhen për të drejtuar institucionet tona arsimore parauniversitare në misionin e tyre për të prodhuar komunitete të qëndrueshme në parametra të kapitalit njerëzor.

Në gjithë botën demokratike një drejtor shkolle është një personalitet me fuqi ndikuese për komunitetin qytetar ku ndodhet shkolla. Një drejtues lokal arsimi është një personalitet i mirënjohur për aftësitë e tij profesionale dhe aftësitë e tij për ndikim pikë së pari në komunitetin professional ndaj dhe etimologjikisht ato quhen herë “headmaster-kryemësuesi, mjeshtri”dhe në të tjera si “principal-drejtor”. Ndikimi i këtyre personaliteteve profesionalisht të arrira janë të shoqëruara me inteligjencën e tyre identitare për të ndërtuar ndërveprime dhe marrëdhënie në dobi të maksimizimit të rezultateve me faktorë të ndryshëm historikë, kulturorë, ekonomikë, politikë në komunitete, qytete. Këto personalitete drejtuese me platforma të qarta për qëllimet dhe objektivatnë kolektivat e mësuesve ndikojnë në të ndjerit e komunitetit brenda objektivave dhe qëllimeve që ato I kanë vënë institucionit. Ato janë të aftë që të ndërtojnë ndërmarrëdhënie tepët të brendësuara me drejtues, mbështetës, ndihmësa apo grupe interesi për cilësi në rritje të kapiatlit njerëzor të atij komuniteti. Nën këtë koncept ato janë individë që kanë rritur veten për të qenë një kapital njerëzor i lakmueshëm për prodhim udhëheqësie. Ato janë të gatshëm për t’ju bashkuar një komuniteti më të gjërë udhëheqësie komunitare pasi kanë të siguruar bashkëpunëtorët, mbështetësit, ndjekësit e tyre komunitare.

A është ky procesi në të cilin kanë kaluar, po kalojnë drejtuesit në institucionet arsimore nga kopshtet tek shkollat tona publike?

Sigurisht, veç atyre kapitaleve që trashëguam në cilësi udhëheqësie nga vitet para 90-tës, sot, pas 30 viteve demokraci, ne duhet të kishim një shumësi personalitetesh të tilla në kopshte dhe shkolla publike të cilët të pranuar në skuadrat udhëheqëse të tyre do të kishin dhënë rezultatet në krijimin e komuniteteteve tona bazuar në kapitale njerëzore.

Se ku jemi përkundrejt këtij objektivi mjafton të lexosh dhe analizosh Raportin e Bankës Botërore për cilësitë e kapitalit njerëzor për secilin shtet dhe në rastin tona për Shqipërinë.

Pse në mbetemi dhe dergjemi ende në nivele kritike për cilësi të udhëheqësisë politike, ekonomike,akademike, arsimore, kulturore, diplomatike dhe “krenaria”më së shumti në majë të tyre i mbetet “prodhimtarisë” së para 90-tës? Sepse ne ja kemi shkatërruar ADN-në e arsimit shqiptar, atë të Samiut, Gurakuqit, Ivanajt, Xhuvanit, motrave Qiriazi, Merxhanit dhe Malokit.

Faktori i parë vrastar është se ne e pranuam “standardin” se pjesë e udhëheqësisë në arsim mund të jesh vetëm me bekimin e njishave politikë qeverisës të rradhës, nga niveli i komunitetit deri tek ai qendror.  Politika e udhëheqësve pa identitet mbyti edhe projektet e nisura në pas viteve 2000 që arsimin dhe drejtuesit në të t’í sillnin me modele konkurence bazuar në platforma qe lidheshin me gjendje kritike në arsimin e kohës. Rrotacioni 2005-së ritheksoi fuqinë e vendimmarrësve politikë për këto drejtues arsimi për tú gremisur në pos 2013-tën. Politika dhe politikanët qeverisës në vite ende nuk kanë zbatuar Kushtetutën e Shqipërisë që arsimi është depolitizuar dhe i departizuar. Sot nuk ka kurrëfarë droje që një CV-të e drejtuesve lokalë të qënit si drejtues politik lokal është premisa për të qenë drejtuesi lokal, komunitar i arsimit.

Pra, ai profesionisti par exellence që presupozohet që do të motivojë, mbështesë, ideojë, prijë, moderojë, finalizojë procesin e arritjes së qëllimeve dhe objektivave për kopshtin, shkollën, komunitetin, edukimin në qytet në raport me cilësitë e duhura si kapital njerëzor i suksesshëm dhe produktiv është një nga parcelëzat pluraliste politike!!!! Si i tillë ai nuk kryen as mision e as funksion dhe në rezultante komunitetet dhe qytetet tona thjesht gjallojnë por nuk progresojnë si kapitale njerëzore në favor të mirëqenies dhe demokracisë.

Një faktor tjetër i dytë, të qenit kopje e keqe e eksperiencës komuniste “ Shkolla e partisë”, është prodhimi i shkollave të drejtorëve nga qeverisja e rradhës gjoja me interesin për të institucionalizuar “prodhimtarinë” e tyre për qeverisjen 8 vjeçare pasi ekuinokset politike kaq e kanë “të mirëkuptuar” rregullin.  Gjëja më e shëmtuar e tyre është se ndërsa i lexon rreshtat e shumë strategjive nuk ndjen shqetësimin e analizës së dëmit që ka bërë eksperienca e vendosjes së shumë drejtuesve anonimë profesionalë por politikisht korrekt në arsim, lexon objektiva të vagullta, analiza të munguara dhe objektiva minimaliste mjaftohen me premtime të një “Shkolle për Drejtorë” dhe në alibi nënshkruajnë një marrëveshje me të huaj për të asistuar në to. Sigurisht materiali analitik i justifikimit të donatorit bashkëpunues pranon situate kritike si ato më sipër por që për çudi nuk pranohen zyrtarisht dhe publikisht nga qeveritarët.

Po për çfarë asistohen? Si mund ta vlerësosh këtë asistencë? Për çfarë?

Për një drejtor të projektit të donatorit ku drejtori anonim i “prodhimtarisë” së drejtorëve duhet të vijë me firmë të ministrit politik e që në rast zëvendësimi të tij lehtësisht ndjen edhe zëvendësimin e shefit të “prodhimtarisë”.

Për një drejtues shkolle që vjen “ï bashkëpranuar” nga shqiptaropolitika&donatori i rradhës proces i cili nuk i përqaset me asnjë teori apo studim kritik mbi konceptet e udhëheqësisë në përgjithësi, udhëheqësisë në arsim si dhe përvojave të vendeve të tyre po ashtu. Jam e bindur që në vendin e tyre as nuk do të guxonin të zbatonin standard të tilla përzgjedhëse. Këtë e kam parë dhe prekur vetë nga shumë eksperienca në vendet e tyre ku drejtuesit e shkollave ishin personalitete të spikatura në komunitete profesionistësh dhe inisiativash lëvizjesh për të drejtat e njeriut dhe qytetarinë.

Për organizimin e dhënies me PPP të procesit trajnues të të përzgjedhurve nga bashkëpunimi i shartuar në standard shqiptaro-politik & partner i rradhës. Këtu mund të shohësh emra trajnerësh që as një ditë të vetme në jetën e tyre nuk kanë drejtuar një komunitet arsimor apo qytetarësh përreth tij në një ndryshim të vetëm në institucion e jo më me ndikim në komunitete. 30 vite janë mjaftueshëm që mes profesionistëve të zgjidheshin të tillë pasi sistemi nga këto lloj idealizmash është mbajtur në mbijetesë se për nivelin e investimeve nga qeveritë do të ishte shuar me kohë qysh nga mungesa e statusit të mësuesit që nuk guxon politika tí kërcënojë vendin e punës, nga drejtuesit e paaftë që ju kanë lënë mbi kokë herë pas herë dhe më së shumti, nga sistemi i shkallmuar i trajnim kualifikimit e tipit PPP, nga diskriminimi ekonomik i mësuesit në pagë, nga politika e mbrapshtë alla PPP e Altertekstit, nga mali i detyrimeve për të prodhuar shkresa më shumë se punë të gjallë më fëmijët dhe të rinjtë, nga shuarja me inteligjencë e jetës sindikaliste mes mësuesve, nga kushtet jashtë standardeve për zhvillim e vetzhvillim në infrastrukturat shkollore pa folur për mungesën e mundësive dhe shanseve për t’u mbështetur për talentet dhe shkencëtarët që mund të drejtojnë dhe sfidojnë së bashku me botën.

Për vendimarrjen e detajuar që drejtori i “prodhimtarisë” i imponon përfituesve nga PPP-ja e rradhës. Këto të fundit nuk gëzojnë “lirinë örganizative” dhe as të drejtën për të paraqitur skuadrën e vet që në vetevete është ajo që përfaqëson kapitalin më të spikatur profesional për rastin kjo pasi drejtori i rradhës ka instrumenta dhe filtra të “firmës politike” të ministrit që e bekoi përtej marrëveshjeve.

Për shkolla të tilla “prodhimtarie” pa drejtues në ideal të spikatur profesional, pa ndikim për besimin që masa e mësuesve duhet të ketë tek kjo PPP e rradhës e cila nuk është e zonja të prodhojë ndërveprime dhe marrëdhënie me shumë faktorëdhe aktorë të arsimit deri më sot, me përvoja të dështuara dhe pa ndikim në progres në sektorë të tjerë apo dhe të këtij arsimi që lëngon. Shqipëria nuk ka nevojë për të tillë. Lëngimit në cilësi të arsimit në vend për të prodhuar kapitale njerëzore që do të duhet të prodhonin komunitete të qendrueshme dhe në progres, nuk i duhet shtuar dhimbja që ndjen kur dhe “prodhimtari” të tilla bekohen me procese tipike alla PPP dhe nën sigla donatorësh strategjikë që në këtë rast bien ndesh me ato objektiva dhe investime që kanë tash 30 vite për arsimin në Shqipëri. Këtyre të fundit, por mbi të gjitha shtetit shqiptar i duhet që vlerësimit për “prodhimtarinë” e udhëheqësisë në arsim duhet ti bashkëngjisin të mësuarit me standardet më optimale të udhëheqsve që I vënë përfituesve para syve si udhëheqës. Këtë ta fillojnë me konceptimin e modelit, me standardet në sjelljen e tij për të ndikuar në faktorë dhe aktorë të tjerë, me bërjen të ditur të sukseseve të tyre të mëparshme në sistem pa harruar qënien si nje proces sistemik transparent në komunikim dhe llogaridhënie.

Këto lloj shkollash për udhëheqësi as nuk duhet të përsërisin “Shkollën e Partisë” po as edhe duhen dhënë më PPP pasi bëhet fjalë për shkolla që prodhojnë fuqizimin e kapitalit njerëzor në vend si një kurator par excellence i shpopullimit të Shqipërisë dhe emigracionit masiv drejt botës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT