Rama i përgjigjet Bashës: Mesjeta juaj nuk kthehet më! Një mbeturinë e komunizmit drejton PD prej 30 vitesh

Kryeministri Rama ka reaguar pas daljes së Lulzim Bashës para gazetarëve ku hodhi disa akuza rreth qeverisjes për kontratat me inceneratorët.
Basha akuzoi Ramën se po planifikon caktimin e Milva Ikonomit në Bashkinë e Durrësit për të nënshkruar koncesionin që do të 5-fishonte eurot për inceneratorët.
Pas këtyre akuzave kryeministri Rama ka reaguar ashpër ndaj Bashës duke i kujtuar kohën kur ka qeverisur PD, se si ka qenë situata me plehrat. Duke i kujtuar marrëdhënien me Berishën të cilin e quan një mbeturinë të komunizmit, Rama i kërkon Bashës të heqë dorë nga shpifjet dhe akuzat.
Postimi i Edi Ramës:
Lulëzim, unë e di që Partia Demokratike ka një marrëdhënie fiziologjike me kaosin urban dhe mbeturinat, jo vetëm sepse një mbeturinë të komunizmit dhe një rrëmujaxhi patologjik e ka lider prej 30 vjetësh, po edhe sepse kurdo e kudo ka qeverisur plehrat i ka pasur male krenare!…
Por do ti s’do ti, doni ju s’doni ju, Shqipëria e Rilindjes Urbane dhe e fushave sanitare të përpunimit teknologjik të mbetjeve nuk do të ndalet deri kur në asnjë cep të shtëpisë sonë të përbashkët të mos digjen e mos kalben plehra, sepse mesjeta juaj ka vdekur e s’kthehet më!…
Prandaj Lulëzim hiq dorë nga nostalgjia për mbeturinat që ke mbi krye e mbi supe dhe harroje se duke sharë,akuzuar,shpifur do ta kthesh Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Fierin e Shqipërinë, në epokën e vargmaleve të turpshme me plehra në emër të popullit që mezi të pret në 25 prill!