“Do shihni shumë amerikanë në Shqipëri, ju garantoj”, Nën/Sekretarja e Arsimit në SHBA mesazh Ramës: Lidhja e dy popujve tanë s’ka qenë kurrë më e fortë

Nën/Sekretarja e Shtetit për Arsimin dhe Kulturën në SHBA, Marie Royce është takuar sot me kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës së parë të saj në Shqipëri.
Royce u shpreh e mahnitur nga mikpritja dhe natyra shqiptare, ndërsa tha se ndodhet në vendin tonë për të forcuar edhe më tepër bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e kulturës dhe arsimit.
“Do të shihni më shumë amerikanë në Shqipëri, për këtë ju garantoj”, i tha Royce kryeministrit Rama, teksa përmendi vizitën e kolegut të saj amerikan vetëm pak kohë më parë në vendin tonë.
“Është hera ime e parë në Shqipëri, dhe jam mahnitur nga bukuria e vendit tuaj dhe mikpritja. SHBA ka qenë me ju që në fillim. Lidhja mes dy popujve tanë nuk ka qenë kurrë më e frotë se tani. Dua të theksoj dhe përforcoj disa nga mënyrat tona të bashkëpunimit në arsim dhe kulturë.
Së fundmi, kolegu im ishte këtu dhe unë jam këtu për të vazhduar rrugën e tij. Do të shihni shumë amerikanë këtu në Shqipëri, për këtë ju garantoj”, tha zyrtarja amerikane, Royce.
Nga ana e tij, kryeministri Rama e vlerësoi vizitën e zyrtares së lartë amerikane, si e para e këtij niveli në fushën e kulturës dhe arsimit.
“Je mëse e mirëpritur, kur dikush vjen nga ajo pjesë e botës. Nuk më kujtohet në tërë përvojën time një vizitë e këtij niveli për kulturën dhe arsimin. Ndaj kjo është shumë e rëndësishme. Një numër mbresëlënës shqiptarësh po përfitojnë nga programet tuaja, por ka edhe më shumë shqiptarë që përfitojnë nga programet tuaja në Shqipëri, por prap mendoj që ka më shumë për të bërë. Por më besoni se nuk janë pak edhe ato që mund të mësoni nga kultura tonë. SHBA mund të mësojë nga ato vende që kanë një histori më të gjatë komplekse, prej mijëra vjetësh”, u shpreh Rama.