Rama i rikthehet sërish Bashës: Nuk rikthehen shqiptarët tek plehrat o “dhëndër i inatosur”!

Kryeministri Edi Rama, nuk po i lë asnjë sekondë pauzë rivalit të tij politik për argumentin e akuzave të Bashës në lidhje me përpunimin e mbeturinave.

Rama, ka reaguar sërish ashpër, siç dhe dje pas konferencës së shtypit të Lulzim Bashës, të dhënë sot, e cila realisht ishte një copy paste e ditës së djeshme.

Rama, sërish me sarkazëm ka goditur kreun e PD-së, duke e cilësuar sallën ku Basha mbante konferencën, si një sallë dasmash ndërsa vetë kreun e PD-së si dhëndër. Termi “dhëndër” duket se është një hedhje me qitje të largët me dhëndrin e Berishës i cili gjithashtu është aktiv në akuzat për këtë çështje.

Ndërkaq, me të njëjtën ashpërsi si dje, kryeministri ka akuzuar kreun e PD-së për performancën që ai kreu kur ishte kryetar i bashkisë së Tiranës për trajtimin e mbetjeve urbane.

Postimi i Ramës në Twitter:

“Po ç’është ajo sallë dasmash ku i bëke konferencat o Lulëzim?!Të ndoqa pak sot e u habita, qesharake shumë salla dhe ti si dhëndër i inatosur që klithje pse po pastrohet Shqipëria nga plehrat! Po si mund të jesh kaq nostalgjik për plehrat që i bëre mal në Tiranë e ndote dynjanë!

Po si mund t’u thuash shqiptarëve që mafia po pastron Shqipërinë nga haletë gjigante në mes të qyteteve më të mëdha të vendit e nga helmet që pushtuan ajrin me dekada në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier e gjetkë?! Po pse kështu do bëhesh KM ti o miku im Artist, me plehrat në gojë?!

E ke dëgjuar mirë nga unë, se ta kam thënë shpesh, shqiptarët s’janë budallenj, po ajo që s’kupton ti kur e thua këtë është se shqiptarët s’kthehen më tek plehrat o Lul!Sa më shumë do vuash në sytë e tyre duke qarë për plehrat që po pastrohen,aq më shumë do mërzitesh në 25 prill!”./GazetaShqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT