Masat Anti-Covid/ Rama: Porosi policisë që të jenë të rreptë që nga deputetët për maskat

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se ka kërkuar nga autoritetet përkatëse që të kërkojnë zbatimin e masave të marra për Covid 19 të zbatohen duke u nisur nga zyrtarët më të lartë të vendit, në parlament, qeveri dhe institucionet.
“Kjo është një luftë, edhe pse disave nuk i pëlqen që ta quajmë kështu. Për hir të së vërtetës, sjellja e shumicës dërrmuese ka qenë pozitive dhe sot kam vënë re me vëmendje unë personalisht që mbajtja e maskave sot është 99% me një sy të parë”,u shpreh kryeministri.
Duke iu përgjigjur idesë së faljes së gjobave, ashtu siç u veprua në kohën e karantinës, kryeministri e hodhi poshtë.
“Gjobat që janë vënë janë amnistuar në një moment të caktuar për të dhënë edhe një mesazh tjetër, që nuk është çështja e frikës, e ndonjë dëshire apo nevoje që ne të fusim duart në familje dhe të marrim përmes gjobave para që hyn në shtëpi, çështja është që të kuptojmë mirë që duhet të gjithë të kontribuojmë dhe nga ana tjetër për hir të së vërtetës kemi vlerësuar edhe një fakt tjetër, që ata që nuk kishin paguar ende apo ato që kishin ende makinat e bllokuara, meritonin një mirëkuptim pasi sidoqoftë një periudhë e vogël kaloi. Sa i përket gjobave tani, nuk është ky qëllimi. Ju e dini që unë me gjobën nuk kam një raport të mirë, në Shqipëri gjobat janë të ulëta, duhet të jenë më të larta, se nuk është taksë, është ndëshkim për një shkelje që e ke në dorë të mos ta bësh. Por në rastin e shkelje tani duhet ta shohim në mënyrë më komplekse, unë besoj se kjo që ndodh sot është rezultat i efektit që kanë bërë edhe gjobat e vëra, edhe pse ne kemi zgjedhur që të jeni tolerant për gjobat e vëna. Pjesërisht janë ndëshkuar. Nuk duhet të nisen me idenë, hajde se do na e falim. Maskat do i mbajmë pak si gjatë, kjo për shkak të stinës. i kam kërkuar policisë së shtetit, që të jetë shumë e vëmendshme dhe vëmendje ta ketë nga parlamenti te institucionet qendrore. mund të jetë e vështirë që makina ime të ndalohet nga policia, të shohim a e kemi vënë maskë, unë e kam mbajtur dhe njerëzit e mi, se nuk është puna te frika”, tha Rama./GazetaShqip