Gazetarja çmonton planin ekonomik të Bashës: Po tenton të rrisësh taksat për biznesin e vogël

Gazetarja Ornela Liperi ka vënë në diskutim planin ekonomik të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, lidhur me taksimin e bizneseve të vogla.
Ajo tha në Zonë e Lirë, se Basha me planin e tij do taksojë bizneset e vogla ndërkohë që sot me Ramën ato nuk paguajnë taksa.
“Kisha një pyetje për Bashën, që i intereson dhe 90 mijë bizneseve, për taksimin e 0.5% të xhiros së bizneseve të vogla. Nuk e di si i keni bërë llogaritë por më bie që bizneset do paguajnë më shumë me këtë lloj taksimi. Një biznes sot i bën deri në 140 mijë euro xhiro në vit, dhe sipas premtimit të Ramës, nuk do të ketë tatim fitimi, ndërkohë që Basha thotë që do tatoj 0.5% të xhiros, ndërkohë që sot nuk paguajnë asgjë. Dhe është interesante se janë 90 mijë biznese të vogla në vend, dhe ka interes për formulën e taksimit. Rama i ka hequr, ndërsa me premtimin e Bashës ia heq bizneseve të mëdha dhe ia rrit bizneseve të vogla,” ishte formulimi i Liperit.
Ndërsa Basha u përgjigj se Rama nuk e ka hequr fare taksën pasi ato paguajnë taksa bashkiake. Edhe këtë Basha e ka quajtur gënjeshtër të kryeministrit Rama.
“Rama nuk e ka hequr fare taksën se jam në kontakt të vazhdueshëm të biznesve. Paguajnë taksa bashkiake, biznesi i vogël pa taksë është një gënjeshtër e Ramës. Mesatarisht, biznesi i vogël në Tiranë paguan 3-7 herë më shumë detyrime bashkisë së Tiranës. Biznesi i vogël shqiptar nuk do përballet më me 10 lloje inspektoriatesh mjedisore, shëndetësore, etj, por do ketë vetëm një detyrim me taksën 0.5% të xhiros, do konsiderojmë biznes të vogël nën 140 milionë lekë të vjetra në vit. Në dritaren e biznesit të vogël do vendosim një pullë fiskale që nuk kontrollohet nga inspektorët bashkiak. Çlirimi i biznesit të vogël nga makthi i tatimorëve. Ky propozim është i konsultuar dhe i miratuar me Shoqatën Kombëtare të Biznesit të vogël”, tha Basha.