Menaxhimi i mbetjeve në Tiranë, flet ambientalisti Ferruni: Nga koha e Bashës, ndryshimi i dukshëm

Menaxhimi i mbetjeve në Tiranë ka pësuar ndryshim të dukshëm në krahasim me vite më parë kur kryeqyteti qeverisej nga lideri i opozitës Lulzim Basha. Ky është një fakt që pranohet dhe nga ambientalistët.
Një prej ekspertëve të çështjeve të mjedisit, Lavdosh Ferruni, në një prononcim për gazetën “Shqip” pohon se sot trajtimi i mbetjeve në Landfillin e Sharrës bëhet në kushte shumë ndryshe nga koha kur bashkia e Tiranës drejtohej nga Basha.
“Është fakt që trajtimi i mbeturinave në Sharrë ka ndryshuar për mirë. Sot është evidente mënyra cilësore e trajtimit, kjo ka sjellë për pasojë dhe eliminimin e erës së keqe përreth zonës”, tha Feruni.
Sipas ambientalistit, ndryshimi shihet që nga mënyra si është rrethuar landfilli, mbyllja e gropave të plehrave, gjelbërimi i zonës. Por eksperti thotë se ka ende vend për përmirësim.
“Situata ka ndryshuar për mirë vitet e fundit. Por ne si ambientalistë kërkojmë që të ndërtohen impiante gazi për të emetuar gazin metan që çlirohet nga mbeturinat”, tha ambientalisti Ferruni.
Sipas tij, menaxhimi i plehrave në kryeqytet nuk ka ndryshuar, por Sharra sot është një realitet i ri dhe shumë ndryshe nga vitet e shkuara.
Ferruni tha se ky realitet nuk mohohet por ai dhe ekspertë të tjerë të mjedisit kanë kërkuar që ndarja e mbeturinave të bëhet nga dy burime: të riciklueshme dhe organike. Sipas tij, kjo nuk është respektuar dhe sot të gjitha mbeturinat përfshi dhe ato të qytetit të Durrësit përfundojnë pa u ndarë në inceneratorin e Tiranës.
Gazeta Shqip