SHIFRAT/ Efektet e pandemisë: Çdo shqiptar pritet të varfërohet me 425 dollarë në 2020-n, të gjithë do humbin 1.2 miliard dollarë

Të ardhurat për frymë të shqiptarëve në vitin pritet të ulen me 425 dollarë, ose me gati 8% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas tabelave të përditësuara të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në terma nominalë, të ardhurat për frymë të çdo individi, me çmimet aktuale (në dollarë për frymë) pritet që në vitin 2020 të zbresin në 4,898 dollarë, nga 5,323 dollarë një vit më parë.
Në total, sipas shifrave të FMN-së, vendi pritet të humbasë 1.24 miliardë dollarë këtë vit, shumë që është sa 8% e të ardhurave vjetore në 2019-n.
Kjo tendencë, e rënies së të ardhurave për frymë po konstatohet në të gjithë botën, për shkak të pasojave që dha në ekonomitë globale karantina me synim parandalimin e infeksionit të Covid-19 dhe pasigurive që ende po vazhdojnë, duke ngritur shumë pasiguri për të ardhmen.
Më herët, Banka Botërore në raportin e saj të fundit të Rishikimit Ekonomik të vjeshtës për Europën dhe Azinë Qendrore, evidenton në seksionin për Shqipërinë, se kriza po shton varfërinë, kryesisht nëpërmjet rritjes së papunësisë.
Sipas vlerësimeve të bankës, pavarësisht masave që janë marrë, varfëria e moderuar (përqindja e popullsisë që jeton me më pak se 5.5 dollarë për person në ditë, të vlerësuara sipas barazisë së fuqisë blerëse, që eliminon diferencat e çmimeve mes vendeve) pritet të rritet me rreth 5 pikë përqindjeje.
Sipas raportit të Bankës Botërore, mbyllja e bizneseve, operacionet e zvogëluara dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dëmtuan prodhimin. Sektori i turizmit, një faktor kyç i rritjes, ka qenë shumë i prekur. Konsumi dhe vendimet për investime janë vonuar.