Meta i përgjigjet Ramës me foton historike para shtangës: Jam përgatitur për të ngritur vetëm “pesha të rënda”

Presidenti i Republikës i është përgjigjur dy deklaratave të njëpasnjëshme të kryeministrit Edi Rama, me një metaforë nga përvoja e tij në sportin e peshëngritjes, ku ka publikuar një foto të rinisë së tij të hershme kur ishte sportist dhe një foto me ish-trajnerin e tij.

Megjithëse në postimin e tij, kreu i shtetit, tregon eksperiencën e tij të kaluar në sportin e “shtangës” siç quhet në gjuhën popullore, në fund të postimit ka një batutë që mund të konsiderohet si batutë në aktualitetin politik. “unë jam stërvitur për të qenë përherë në superformë për të ngritur vetëm pesha të rënda!”, shkruan presidenti në rrjetet sociale.

Postimi i Metës

I lumtur sot të kthehesha 35 vite pas në kohë për të ndarë kujtime të jashtëzakonshme për një periudhë shumë të bukur të jetës sime, me Profesorin tim të dashur, Ferid Berberi, ish-trajnerin e madh të peshëngritjes së Ekipit Kombëtar e Dinamos dhe të kampionëve Aleksandër Kondo, Agron Haxhihyseni, Ardian Kokonozi, Muharrem Berisha  e shumë të tjerë.

Pas arratisjes së Aleksandër Kondos, ishte Profesor Berberi i cili më tërhoqi në magjinë e peshëngritjes dhe më edukoi me shumë pasion e dashuri me vlerat më të mira sportive.

E falendëroj veçanërisht për këtë foto të bukur që më solli sot gjatë stërvitjes me dy miqtë e mi, dinamovitin Bashkim Mullai dhe Ardian Kokonozi, apo siç e quanim të gjithë Poku, Kampion i Ballkanit.

Përjetë mirënjohës Profesorit të dashur që me shumë profesionalizëm, pasion e përkushtim përgatiti denjësisht shumë kampionë të peshëngritjes shqiptare, duke mbetur një shembull i çmuar dhe përherë frymëzues i gjeneratave të tëra sportistësh në rrugën e suksesit dhe të fitoreve.

Falë tij edhe unë jam stërvitur për të qenë përherë në superformë për të ngritur vetëm pesha të rënda!/GazetaShqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT