Vizita e Dendias/ PDIU reagon ashpër: Edi Rama e nisi si kalorës i Çamërisë dhe përfundoi si Kali i Trojës së Greqisë

Ka reaguar ashpër PDIU pas konferencës së shtypit mes Edi Ramës dhe shefit të diplomacisë greke, Nikos Dendias.
Pasi është përpjekur që të zhvillojë protestë në ministrinë e Jashtme dhe përpara Kryeministrisë, por nuk është lejuar nga policia, partia që drejtohet nga Shpëtim Idrizi, në një deklaratë për media, ka akuzuar qeverinë për dhunë ndaj anëtarëve të Shoqatës “Çamëria”.
“Dhuna e paprecedentë, ndalimi i tubimit dhe shoqërimi në komisariat i 26 protestuesve të PDIU-së dhe Shoqatës “Çamëria” tregoi edhe njëherë që Qeveria ndjek axhendën greke dhe jo atë shqiptare”, thekson PDIU në deklaratën për media.
Sipas saj, “Shqiptarët e Çamërisë kanë 76- vjet që protestojnë ndaj genocidit më të ashpër në ballkan, ku forcat Zerviste vranë dhe masakruan një popullsi të tërë.Absurdi i sjelljes së policisë politike për të ndaluar protestën e sotme, na kujton dhunën e ushtruar të vitit 2004, kur burra pleq u gjakosën në dyert e parlamentit shqiptar, për rezolutën e çështjes çame.
Ne nuk na ndal dot askush në betejën tonë që shteti shqiptar të sillet me Greqinë me dinjitet, reciprocitet dhe dije. Askush nuk mund të ndalë kërkesat tona të kahershme për zgjidhjen e çështjes çame, heqjen e ligjit të luftës, mosfaljen e asnjë cm2 tokë e det të shqiptarëve, mosbërjen e një censusi antishqiptar”.
Ndërkaq, PDIU ka akuzuar ashpër kryeministrin shqiptar, duke deklaruar se “Edi Rama e nisi mandatin e tij si kalorës i Çamërisë dhe e përfundoi Kali i Trojës së Greqisë. Atë nuk e shpëtojnë nga Çamëria, as fjalët e tij në greqisht apo turqisht, as ylli komunist. Ai sot duhet të ishte shqiptar dhe vetëm si shqiptar mungoi. Ne i bëjmë thirrje policisë politike të lirojë menjëhërë 26 protestuesit, të cilët sot tubuan për interesin kombëtar të Shqipërisë”./GazetaShqip