Vala e dytë e pandemisë, eksperti flet për skenarët e dimrit: Viktimat mund të shtohen

Prej disa ditësh Shqipëria është përfshirë nga vala e dytë e koronavirusit ku shifrat ditore të të prekurve po I tejkalojnë të 250 rastet. Epidemiologu Alban Ylli në një prononcim për “Shqip” tha se kjo valë e dytë e pandemisë si kudo në vendet e rajonit e botës pritet të shoqërohet dhe me shifër të lartë të viktimave.

Ylli tha se me afrimin e dimrit, situata do të përkeqësohet edhe më shumë. Sipas tij, në vendin tonë akoma imuniteti i tufës është i ulët.

“Në Tiranë mendoj se duhet të jetë poshtë 15 për qind, ndërsa në qytete të vogla poshtë 5 përqindëshit. Por ky është imunitet i matshëm përmes antitrupave specifikë. Imuniteti i plotë është më kompleks”, tha për gazetën “Shqip” Alban Ylli.

I pyetur në lidhje me virulencën e virusit Covid-19, pra shkallën e dëmit në shëndet tek të infektuarit, epidemiologu Alban Ylli tha se qarkullimi është më shumë intensive dhe më shumë gjasë për shkak të afrimit të dimrit.

Ylli tha se ai është pro kufizimeve të mbrëmjes sikurse dhe shtete të tjera si Italia e cila pas datës 22 tetor do të vendosë kufizimin e lëvizjes në fashën e orarit 23:00-05:00.

“Një karantinë e dytë do të ishte fatale pasi ka shumë kosto, por unë mendoj që kufizimet duhet të vendosen dhe tek ne. Po ashtu me rëndësi është intensifikimi i testimeve, gjurmimeve të rasteve me Covid si dhe izolimi”, u shpreh epidemiologu Alban Ylli./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT