Grekët bëhen gati për ceremoninë e 2-vjetorit të vrasjes së Katsifas, policia u ndryshon datën

Mediat greke bëjnë me dije se do të mbahet një ceremoni përkujtimore në dy vjetorin e vrasjes së ekstremistit Konstantinos Katsifas, në Bularat të Himarës.
Autoritetet shqiptare vendosën që ceremonia të mbahet këtë të shtunë, në mënyrë që shërbimi përkujtimor të mos bëhej në të njëjtën ditë me kremtimin e 28 Tetorit të Ditës së “JO-së” në varrezat ushtarake në Bularat.
28 tetori i vitit 1940 njihet në Greqi si dita e ‘JO’-së, ditë kur u shënua fillimi i luftës italo-greke. Që atëherë, përvjetorët e kësaj dite festohen në Greqi si festë kombëtare.
Sipas banorëve, prej disa ditësh, forca e policisë shqiptare po monitorojnë lëvizjet e banorëve të fshatit dhe familjes Katsifas.
Megjithëse kanë kaluar dy vjet nga vrasja e Katsifas më 28 tetor nga forcat e RENEA, ende nuk ka një vendim final nga gjykata mbi rrethanat e vdekjes së Katsifas.
Konstandinos Kaçifas, u vra më 28 tetor gjatë një shkëmbimi zjarresh me forcat RENEA. Ditën e varrimit, në Bularat, erdhën rreth 1500 nacionalistë grekë që e përcollën 35-vjeçarin drejt banesës së fundit të veshur me rroba ushtarake. Vrasja e tij nga forcat RENEA shkaktoi shumë tensione mes Shqipërisë dhe vendit fqinj.
Katsifas u vra nga RENEA pasi terrorizoi fshatin dhe qëlloi me armë mbi policinë.