Pakti detar/ Basha del kundër: Rama të ndalë negociatat me Athinën për Gjykatën e Hagës, t’i bëjë qeveria e pas 25 prillit

Kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha ka deklaruarsot se Edi Rama nuk duhet të bëjë asnjë hap për të nisur bisedimet me Greqinë për të përgatitur hapat që të çojnë në Gjykatën e Hagës çështjene kufirit detar.
“Çdo hap që do të merret nga kjo qeveri para zgjedhjeve për të përgatitur negociatat për të çuar në Gjykatën Ndërkombëtare konfliktin me Greqinë është i paligjshëm dhe cenon interesin kombëtar.Këto hapa duhet të ndërmerren nga një qeveri legjitime pas zgjedhjeve të 25 prillit”, deklaroi Basha.
Kreu i PD-së, theksoi se pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes së firmosur nga ai si ministër i jashtëm, PD ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet nga Drejtësia Ndërkombëtare. Gjatë vizitës së kryediplomatit grek në Tiranë, në takimin me Ramën, u bë e ditur se është rënë dakord që të dyja shtetet t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës sa i takon zgjidhjes së mos marrëveshjeve për Paktin e ri detar.
Dendias kishte edhe takim me vetë kryedemokratin Lulzim Basha në Tiranë dhe ai ka shprehur qëndrimin se është pro dërgimit në Hagë./Gazeta Shqip