Reagon ndaj akuzave për nënshtetësinë, Meta paralajmëron rrëzimin e negociatave me Greqinë: Rama nuk më pyeti

Presidenti Ilir Meta flet ashpër nga Korçë ku bën të ditur se do të kundërshtojë nisjen e negociatave me Greqinë për dërgimin në Hagë të Marrëveshjes së Detit, ku theksoi se Rama nuk është konsultuar me të.

Në këtë mënyrë, Meta parashikon se nuk do të japë plotfuqishmërinë e tij për të nisur tratativat me Athinën. Nga ana tjetër ai ka hedhur poshtë akuzat për shtetësinë, duke bërë të ditur se i ka bërë të gjitha sipas ligjit. Në lidhje me kohën e shkurtër, ai ka përmendur edhe dhënien e shtetësisë së shpejtë për Besa Shahinin.

Ndërkaq, Meta ka deklaruar se ka qenë reagimi i ashpër i Partive Popullore Evropiane, që e ka detyruar të kthejë pas ligjin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të miratuara disa javë më parë në Kuvend. Nga Korça ku mori pjesë në një ceremoni përkujtimore në nder të një mësueseje që humbi jetën teksa shkonte në shkollë, Meta tha se kthimi pas i ligjit në Kuvend është një tjetër mundësi për maxhorancën socialiste.

“Sapo është publikuar. Reagimi i menjëhershëm i PPE pasi kuvendi votoi në mënyrë të njëanshme këto ndryshime dhe thirrja e tyre për t’a kthyer këtë akt në Kuvend, dhe rikthimin e aktit në shinat e marrëveshjes së 5-qershorit, ishte një mundësi tjetër për maxhorancën, të respektojë këtë marrëveshje gjithpërfshirëse në të kundërt do të mbajë përgjegjësi për këtë ndryshim të rregullave të lojës dhe ç’është më e rëndësishmja të shkeljes së procesit të negociatave.”-tha Meta.

Presidenti u pyet edhe për lëvizjen e radhës, nëse socialistët nuk tërhiqen. “Presidenti është shumë i qetë pasi është në një gjatësi vale me popullin shqiptar, pavarësisht preferencave partiake dhe politike, apo atyre që janë pa parti. Duhet t’i jepet fund kësaj krize artificiale dhe mungese skandaloze të përgjegjshmërisë. Maxhoranca të reflektojë. Presidenti është i qetë dhe në një gjatësi vale. Në rast se do të kemi këmbëngulje për të penguar zgjedhjet dhe integrimin, presidenti do të jetë me të gjithë popullin për të treguar se shqiptarët janë një dhe pa dallim.”-tha Meta.

Meta i quajti “shpifje të sponsorizuara” dhe mashtrime akuzat e ngritur nga gazetarët dhe mediat për dhënien e nënshtetësive. “Meqë jemi për çështjen e arsimit, meqë jeni munduar nga Korça, kujtojmë një mësuese që humbi jetën në një ditë të vështirë, të akulltë teksa po shkonte tek nxënësit e saj, pa iu shmangur detyrës siç i shmangen të tjerë. Ishim të gjithë këtu bashkë për ta nderuar këtë mësuese, dëshmore të arsimit shqiptar. Janë shpifje të sponsorizuara, të gjithë shqiptarët duhet ta dinë që është kompetencë e presidentit të japë nënshtetësi.“-tha Meta./GazetaShqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT