Ministria informon mbi situatën në spitalet COVID, ja sa pacientë janë në terapi intensive dhe sa në intubim

Një tjetër rekord shënoi sot vendi në numrin e rasteve të reja me koronavirus, 306, shifra më e lartë e regjistruar deri më tani në 24 orë. Ndërkohë, problematike mbetet situata edhe në spitalet COVID.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se aktualisht, në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”, po trajtohen 260 pacientë, 15 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.
Në 24 orët e fundit, katër persona humbën jetën, ndërsa mes viktimave ishte dhe një i ri, 21-vjeç nga Elbasani me disa sëmundje bashkëshoqëruese, i cili po trajtohej në terapi intensive i intubuar në spitalin COVID2.
Që nga fillimi i epidemisë, numërohen 18556 raste të prekur me koronavirus, ku raste aktive janë 7621.
Numri i viktimave ka shkuar në 469, ndërsa 10466 persona e kanë fituar deri më tani betejën me këtë virus.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë edhe një herë apel për respektimin e masave të thjeshta anti-covid, mbajtja e maskës kudo, respektimi i distancimit social si dhe larja e duarve.