Kanceri i gjirit, flet mjekja Silvana Çeliku: Pandemia uli vizitat, 40 % e grave kapen në stadin e fundit

Kanceri i gjirit mbetet i pari ndër tumoret më të shpeshta që prek gratë në Shqipëri duke shënuar dhe shumë viktima mes tyre.
Mjekja onkologe në spitalin e Onkologjisë në QSUT, Silvana Çeliku në një prononcim për “Shqip” tha se

700 raste të reja diagnostikohen çdo vit në Shqipëri me tumorin e gjirit. Sipas saj pas viteve ’90, shifrat e rasteve të reja me kancerin e gjirit janë dyfishuar.

“Afërsisht një në 10 gra preket nga kanceri i gjirit. Rreth 60 % e tyre vijnë në stade me prekje lokale, pjesa tjetër më e avancuar dhe jo rrallë edhe me metastaza”, thotë kirurgia e spitalit të Onkologjisë në QSUT.

Çeliku shprehet se fushatat e ndërgjegjësimit që kryhen çdo vit, ku muaji Tetor është shpallur muaji i ndërgjegjësimit, puna e madhe që është bërë nga medja, shoqëria civile kanë rritur shkallën e ndërgjegjësimit tek gratë. Por, megjithë rritjen e përqindjes së grave që paraqiten tek mjeku në stade të hershme, ka ende shumë punë për t’u bërë.

“Sot, jo vetëm në muajin tetor, por dhe gjithë vitin bëhet një punë e madhe që edhe ato gra të cilat kanë vështirësi në transport të kenë mundësi të bëjnë një mamografi sipas protokollit dhe kjo realizohet përmes mamografive të lëvizshme”, tha për “Shqip” mjekja Silvana Çeliku.

Në spitalin onkologjik në QSUT, në 9-mujorin e parë të këtij viti janë kryer 172 ndërhyrje kirurgjikale ku 212 raste janë trajtuar me radioterapi dhe 353 pacientë i janë nënshtruar trajtimit me kimioterapi.

“Mjekimi i kancerit të gjirit është shumë kompleks dhe mbijetesa e pacientëve është rritur shumë për shkak të shumë medikamenteve që kanë hyrë sot në spital dhe që ne i kemi në dispozicion për të mjekuar këtë sëmundje, si psh, kimioterapinë,hormonoterapinë”, shprehet Çeliku.

Por mjekja thotë se pandemia e ka vështirësuar punën e tyre pasi ndonëse puna vazhdon pa ndërprerje pacientet e prekura me kancerin e gjirit kanë frikë të kryejnë operacionin apo të bëjnë kontrollin e mamografisë për shkak të rrezikut të infektimit me Covid-19.

“Edhe në këtë muaj ndërgjegjësimi për tumorin e gjirit, numri i grave që kanë kryet mamografinë në spitalin tonë ëdhtë shumë i vogël”, thotë onkologia Silvana Çeliku./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT