Shtëpia e At Gjergj Fishtës kthehet në muze/ Rama sulmon Metën nga Lezha: Dekoratat i ka për vete, jo për heronjtë

Nga fshati Fishtë i Zadrimës ku u përurua shtëpia e poetit kombëtar Gjergj Fishta, kryeministri Edi Rama, ka folur pak për politikë por ka thumbuqar Ilir Metën për dekoratat, ndërkohë ka sulmuar PD-në se shkatërroi shtëpinë e Padër Fishtës.

“Dekoratat nuk po shpërndahen për ata që i marrin, por  për ata që japin, për të rritur pikët e tyre”, tha Rama.

Ndërkaq, kryeministri shtoi më tej se “Ata që folën për Fishtën për 30 vjet i morën gurët e shtëpisë. Në 1991 kjo banesë u shpall momunent kulture dhe në 1994 u shkatërrua.

Njerëzit shkruajn se s’kemi buk por e vërteta është se shqiptarët skanë pasur vdekje për buk, ata ndodhin nëe kontinente të tjera. Ajo çka shqiptarëve u është mohuar ka qenë buka shpirtërorem, e dijes e kulturës.

U bë e gjithë ajo rrumujë për një godinë në Tiranë që nuk ishte monument kulture. Tregues i devijimit në drejtim të paditur për shkak të mos ushqimit me bukën e kulturës”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se së shpejti do të ngrihet edhe një “Kënd i Fishtës” dhe në Manastir të Maqedonisë së Veriut, qytetin ku u mbajt Kongresi për Shkronjat Shqip, ku mbrojti alfabetin latin”.

Në fjalën e tij, Rama ka lartësuar figurën e Fishtës. ” U falemi Orëve të Shqipërisë që na falën një kolos të tillë”, tha mes të tjerave Rama.

Falë një investimi prej 5.5 milionë lekësh nga Ministria e Kulturës, shtëpia e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë është shndërruar në një muze që rrit atraksionin turistik në të gjithë zonën. Për herë të parë, shtëpia u shpall monument kulture në vitin 2008. Për fat të keq, shtëpia ku Ati lindi tashmë nuk ekziston më. Godina u shpall monument kulture në vitin 1991, por në 1994-n u shemb përfundimisht. Në atë vend mendohet të ngrihet një shesh dhe një monument përkujtimor për veprën dhe jetën e Gjergj Fishtës. .

Pjesë nga fjalimi i Ramës

Shtëpia e rindërtuar e at Gjergj Fishtës çel dyert në këtë përvjetor të lindjes së tij, në Fishtën e bukur ku prej sot ka një arsye më shumë për t’u ndaluar e shijuar ajrin e natyrës dhe historisë shqiptare. Dita e vdekjes e Naimit dhe dita e lindjes së Gjergj Fishtës duket sikur janë vendosur me dorën e Zotit për të ndjekur njëra-tjetrën. Të dy e kanë merituar lavdin e të qenurit “Homerë të Shqipërisë ”. Të dy lirikë e të dy epikë. Të dy etër të shqipes së shkruar e të folur mbi dy partitura të ndryshme muzikore. Njëri tosk e tjetri geg, Naimi dhe Gjergji janë dy zërat e Shqipërisë dykrenare, asaj të jugut plot gurgullima e asaj të veriut plot bubullima.

Të dy të ngjizur me mistikë e të përkryer në politikë, në politikën e shërbimit të kombit të vuajtur e të paepur, jo në atë të “vagabondave e shakllabanve, që rrin tash sa mot tu’u talle npër ne, me na qelb fis e atdhe”. At Gjergji ishte ëndërrimtar e ishte usta. Prej oratorisë s’krështenë, formue pranë De Martinos dhe Mihaçeviqit dhe nën hijen e “cathedra Petri”, në një kohë lulëzimi të literaturës katolike, françeskani sqimatar përftoi nji t’ligjëruem plot tharm e forcë që mbas vedit tërhiqte gjithkënd.

Zoti i Shqiptarëve e begatoi me ndjesitë e dhuntitë më depërtuese në shpirtin shqiptar. Stoicizmi i tij ishte sa diellor aq dhe hënor. Për ne shqiptarët, ai është një zgjidhës nyjesh gordiane, nga ajo e alfabetit dhe paqtimit mes elitës katolike e shtetit modern shqiptar, tek ruajtja e kufijve të jashtëm të këtij vendi e naltësimi në vendin që i takonte të “universitas” gegë në të larmishmen Shqipëri. Sa ishte një Homer shqiptar i thellësive shpirtërore, Gjergj Fishta ishte edhe një Perikli i betejave madhore.

Si një françeskan i mirë përpara sulltanit të Egjiptit, trubaduri i Lahutës së Malcis u bë mburojë e së drejtës dhe e drejtpeshimit; këtu duke marrë në mbrojtje Shqypnin e mesme, që ca intelektualë me poture e quanin djep të anadollakëve, aty tue lshue anatemën mbi ksenofobinë me guzhinjeta. Ky frat që kishtë bredhur botën e në gjoks mbante dekoratat e shteteve fqinj, ishte një patriot i kulluar dhe një antinacionalist i bekuar; frymëzuesi i më të mirëve të këtij vatani dhe tmerri i mediokërve të çdo sahani.

Meshtari që kremtonte veç në gjuhën e Horacit e të Shën Jeronimit, e që në atë rang e nivel ngriti gjuhën e shqiptarëve të maleve, është përnjimend një Judas Makabe i shekullit XX. Heroit të madh biblik judeas që aq shumë e frymëzonte, Gjergj Fishta i përngjan për nga ideali, martiri shpirtëror, përkushtimi ndaj tempullit të Zotit e altarit të atdheut dhe fjala që kocka s’ka po kocka thyen. U falemi Orëve të Shqipërisë që na falën një kolos të tillë! “Ave Reverende Pater ac summe magister, morituri te salutant”, tha Rama. /GazetaShqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT