Basha dhe Deti; qëndrimet fluide të opozitës për Paktin me Athinën
YLLI PATA

Lulzim Basha shfaqi një ditë më parë një qëndrim të ashpër ndaj qeverisë në lidhje me marrëveshjen e Detit me Greqinë. Kreu i PD-së i ka kërkuar qeverisë që të mos bëjë asnjë tentativë për negociata me Athinën që të çojë çështjen në Hagë, por t’ia lërë këtë një qeverie të ardhshme PD-LSI siç tha ai që ta marrin ata në dorë atë punë.
Në fakt deri tani në Partinë Demokratike nuk se ka dalë një qëndrim i unifikuar në lidhje me delimitimin me Athinën; Sali Berisha dhe Tritan Shehu kanë mbrojtur marrëveshjen e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese të vitit 2009, ndërsa Genc Pollo është shprehur shumë skeptik për gjykimin e kësaj çështje nga Gjykata Ndërkombëtare e Greqisë.
Basha tha se ai ka qenë gjithnjë përkrahës i trajtimit të kësaj çështje në Hagë menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë paktin e vjetër.
E pikërisht në këtë pikë, duket se ka një kompleks që e bën edhe qëndrimin politik në lidhje me këtë çështje si jo shumë të qartë. Kjo pasi, Lulzim Basha, është personi që e ka firmosur Marrëveshjen e vitit 2009, kur ishte Ministër i Jashtëm me homologen e tij greke Doris Bakojanis.
E duke qenë i tillë, ai duhet të flasë në radhë të parë për atë marrëveshje që është rrëzuar, a i qëndron asaj ndarjeje të kufirit detar që u rrëzua nga Kushtetuesja dhe të japë realisht qëndrimin e PD-së në lidhje me këtë çështje.
Marrëveshja e Detit me Greqinë është një çështje që i përket interesave kombëtare. E mira e një fillimi të ri në këtë çështje është se si edhe në Greqi, forcat politike të vendit duhet të jenë në unison për kufijtë e Republikës.
Qëndrimi i kreut të PD-së sot se atë do ta zgjidhë një qeveri e dalë nga 25 prillit është realisht sofizëm politik. Supozojmë, (pasi është një mundësi) që Edi Rama fiton zgjedhjet dhe merr sërish qeverinë: a do të jetë Lulzim Basha dakord mbi negociatat që do të rinisë sërish Rama me Athinën? Sipas asaj që shtrohet deri tani, mund ta kundërshtojë sërish.
Po edhe nëse fiton PD e LSI e marrin qeverinë, e opozita e PS-së të kundërshtojë negociatat e reja me Athinën, edhe si rezultat i kësaj politike polarizuese, ku do të jemi? Asgjëkundi!
Një marrëveshje kufijsh për Republikën nuk mund të jetë një zgjidhje polarizuese partiake, por një qasje gjithëpërfshirëse kombëtare. E në këtë rast, opozita i ka të gjitha mundësitë e ekspertizës dhe fuqitë politike që të furnizojë me ide e qëndrime, madje edhe kushtetuese ndaj qeverisë për një marrëveshje që të ketë përkrahjen e të gjithëve.
Pasi nëse vijon kjo lojë partizane, njëra palë, PS thotë që ajo shpëtoi interesat kombëtare se denoncoi marrëveshjen Basha-Bakojanis, kurse PD vijon të cilësojë Ramën tradhtar e që po shet detin, megjithëse deri tani nuk kemi ndonjë marrëveshje në dritë. Rezultati: asnjë nuk merr përsipër të nisë një marrëveshje serioze me Greqinë, duke rrezikuar kështu marrëdhëniet me një partner shumë të rëndësishëm e me rol kyç si në rajon por edhe në integrimin e vendit në BE.