Zhdukja e Remzi Hoxhës dhe vrasja e Ali Ukajt, presidenti Thaçi: Autorët janë në Tiranë, drejtësia të zbardhë ngjarjen

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pohuar se autorët e zhdukjes së Remzi Hoxhës dhe të Ali Ukës ndodhen në Tiranë. Gazetari Ali Uka u masakrua me një shishe dhe një kaçavidë në shtëpinë e tij në Tiranë në vitin 1997. 26-vjeçari nga Kosova kishte fituar jo pak emër në mediat shqiptare dhe vrasja e tij shkaktoi jehonë të gjerë në shtypin e asaj kohe.
Për vrasjen e tij u dënua një i afërm i gazetarit, Selman Uka, i cili u diagnostikua më vonë me probleme të rënda mendore. Por vrasja e gazetarit mori një tjetër kthesë kur i dënuari u arratis në Zvicër. Ndërkohë që presidenti Thaçi i ka cekur këto dy ngjarje të bujshme, ndërsa ka bërë një deklaratë të fortë teksa ishte i ftuar në një studio televizive, kur theksoi se gjithçka ka mbetur të zbardhet vetëm nga drejtësia dhe se sipas tij, autorët fshihen në Tiranë.
“Zhdukja e Remzi Hoxhës dhe vrasja e Ali Ukajt janë ngjarje të rënda. Vetëm drejtësia ka mbetur të zbardhë ngjarjen. Autorët se kush janë dihen publikisht. Autorët janë në Tiranë”, deklaroi ai. Kujtojmë që biznesmeni shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha u rrëmbye dhe më pas u zhduk më 21 tetor 1995 dhe që prej asaj kohe nuk dihet fati i tij.
Kujtojmë që pak kohë më parë, me një gjuhë të ashpër dhe tone të papërmbajtshme, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka akuzuar për herë të parë publikisht dhe drejtpërdrejt Sali Berishën për vrasjen e gazetarit Ali Uka, pasi ky i fundit kishte zbuluar sipas tij, pazaret e pista të ish-Presidentit me Sllobodan Millosheviçin. Sipas tij, të gjitha informacionet dhe indiciet për vrasjen e gazetarit nga Kosova që shkruante në atë kohë për mediat e Tiranës, të çojnë tek zyra e ish-presidentit Berisha.
Sipas Thaçit, Ali Uka është vrarë në shtëpinë e tij më 30 korrik të 1997 në Tiranë pasi Berisha kishte zbuluar se ai do të publikonte në Gazetën Shqiptare, informacione për takimet e fshehta të Berishës me presidentin jugosllav Millosheviçin dhe atë të ish-Republikës Federale të Maqedonisë, Kiro Gligorov në Ohër.
“Ali Uka kishte prova edhe për zhdukjen dhe vrasjen e biznesmenit Remzi Hoxha nga shërbimet sekrete të kohës së Berishës”, tha Thaçi në një intervistë për TV Dukagjin ku ai ishte përballë dy paneleve të gazetarëve nga Kosova dhe Shqipëria.