BE i shkruan Gjykatës Speciale për Hashim Thaçin: Mos publiko vendimin

Shefi i diplomacisë së BE-së i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese Speciale të Kosovës që të shtyjë vendimin në lidhje me ankimimin që Presidenti Hashim Thaçi ka çuar për mandatin e Speciales.

Një kërkesë e tillë është pranuar dhe në vend të datës 19 tetor, tashmë qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese të Speciales për amandamentet e presidentit Thaçi do të jepet më 2 nëntor.

Një vendim të tillë e ka nënshkruar gjyqtari Vidar Stensland. Propozimi i dy amendamenteve nga s’është pritur fare mirë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilët e kanë konsideruar edhe një herë si “përpjekje për ta zhbërë Gjykatën Speciale”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 25 gusht i ishte drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë. Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.

Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni skadon ne gusht të këtij viti.

Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vet këtë gjykatë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT