Kush është Majlinda Popoviç, në emrin e së cilës rezulton numri i telefonit të zhdukur që kishte në dorë Azem Hajdari kur u qëllua
INTERVISTA

Dje është zhvilluar seanca e radhës e gjyqit të Izet Haxhisë, ish-truprojes së Sali Berishës, lidhur me vrasjen e Azem Hajdarit në 12 shtator 1998.
Kjo seancë u shty tri javë më parë, për shkak se avokati i Izetit, Idajet Beqiri u prek nga Covidi dhe qëndroi në karantinë për më shumë se dy javë.
Dje avokati ka qenë i pranishëm në seancën e klientit të tij. Pas kësaj seance ai tha për gazetën DITA se seanca u zhvillua normalisht dhe pati një rëndësi të veçantë, pasi u vendos të thirren në cilësinë e dëshmitarit persona që e njohin mirë ngjarjen.
Avokat Beqiri, çfarë ndodhi në këtë seancë?
Sot ne kërkuam dy prova të tjera me rëndësi për çështjen. I kërkuam Gjykatës të thërresë me cilësinë e dëshmitares Majlinda Popoviç.
Azem Hajdari para se të vritej dhe ditën e vrasjes mbante si telefon, numrin që kishte me kontratë kjo shtetase.
Ka të dhëna kush është kjo zonjë?
Zonja Popoviç me origjinë malazeze nga Vraka e Shkodrës, ishte një mikeshë e Azemit. Ai, pra Azemi i ndërronte shpesh telefonat, këtë gjë e bënte shpesh, sepse i shmangej përgjimeve telefonike, ndaj nuk kishte asnjë telefon të tij me kontratë.
Pas disa pritave dhe atentateve që i ishin bërë, ai përpiqej të ruhej sa më shumë, pasi dikush ishte shumë i interesuar për vrasjen e tij.
Izeti ka këmbëngulur gjithmonë në zbardhjen e tabulateve të bisedave të Azemit, ndërkohë që telefoni i tij është rrëmbyer dhe zhdukur natën e vrasjes. Këtu mund të kapet filli i artë që do të zbardhë vrasjen dhe shumë enigma të tjera.
Në këtë numër telefoni që figuron në emrin e Majlinda Popoviç, me banim në Shkodër, Azemin e kanë nxjerrë në pritë ku edhe e vranë.
Çfarë prisni ju nga kjo dëshmitare?
Kjo dëshmitare mendojmë se do të hedh dritë për këtë fakt dhe më tej do të kërkojmë ku ndodhet ky telefon si dhe tabulatet e tij për bisedat e zhvilluara para dhe mbas vrasjes së Azem Hajdarit.

Në foto: Beqiri duke folur me klientin e tij në sallën e gjyqit, lart foto e Haxhisë me ndihmës avokatin
A keni kërkuar dëshmitarë të tjerë në këtë seancë?
Po dje ne kërkuam të thërresim si dëshmitar Fatos Klosin, ish- shefin e Shërbimit Informativ Kombëtar, i cili di shumëçka rreth rolit të gjithësecilit në këtë proces, posaçërisht për rolin dhe pozitën e Izet Haxhisë në këtë vrasje.
Në datën 2 nëntor ora 14.30 Gjykata do të shprehet për të gjitha provat që kemi kërkuar, kë do të pranojë dhe kë do të rrëzojë…
A ndihen optimistë ju dhe klienti juaj, Izet Haxhia, për ecurinë e procesit?
– Po, jemi optimistë. Drejtësia e re shqiptare sapo ka nisur të funksionojë dhe mendojmë se kështu do të zbardhet një enigmat më të mëdha të këtyre tri dekadave të fundit.
Fakti që po flitet si asnjëherë tjetër edhe për zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe për ta gjykuar këtë çështje nga e para, është mjaft domethënës. Sepse është e njëjta dorë që i ka kryer këto krime… Të gjithë e dinë se ndaj kujt drejtohet gishti në këtë rast.
Sidoqoftë le t’ia lemë gjykatës të vendosë. Rëndësi ka që të fillojnë e vazhdojnë këto procese deri në fund dhe le të përfundojnë në bankën e të akuzuarve ata që e meritojnë.
———
Intervistoi Xhevdet Shehu. Botuar sot në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë apo i pjesshëm pa lejen e redaksisë dhe pa citimin korrekt e të dukshëm të burimit