TRAGJIKE: Vdes pak ditë pasi denoncoi në media se po e sorollatnin pa i dhënë mjekim. QSUT nuk e pranon: E mori ndihmën e nevojshme

Lutfi Çekirri 53 vjeç kërkoi ndihmë javën e kaluar në media, duke thënë se nuk po i jepej ndihmë mjekësore nga QSUT dhe Spitali Ushtarak të cilët po e sorollatnin sa në një spital në tjetrin.
Denoncimi i tij në media ra në vesh të shurdhët. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua e për pasojë ndërroi jetë ditën e premte, teksa sot u përcoll për në banesën e fundit.
Vetëm dy ditë pas vdekjes, QSUT reagoi mbi rastin tragjik, por nuk pranon të ketë përgjegjësi:
“Lidhur me rastin e publikuar në disa media dhe disa rrjete sociale, mbi rastin e pacientit L.Ç., Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” duke i shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit, informon se nga verifikimet e kartelës klinike dhe ecurisë së ndjekjes klinike të pacientit, rezulton se pacienti në QSUT ka marrë ndihmën mjekësore të nevojshme.
Sqarojmë publikun se trajtimi mjekësor vijon pa ndërprerje, për të gjithë qytetarët që kërkojnë ndihmë mjekësore, pavarësisht diagnozave“, pretendon QSUT.
Rasti ka ngritur pikëpyetje nëse COVID-19 ka marrë vëmendjen kryesore të autoriteteve shëndetësore në vend, duke lënë pas dore shërbimet për sëmundjet e tjera.
Ministria e Shëndetësisë thotë se ka ngritur një grup pune:
“Ministria e Shendetesise dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur një grup pune për të verifikuar procedurat e ndjekura në strukturat spitalore për pacientin me inicialet L.Ç, 53 vjeç, që ndërroi jetë në QSUT.
Duke i shprehur ngushëllimet familjarëve, Ministria e Shëndetesise siguron se do të kryhet hetimi i plotë administrativ për procedurat e ndjekura nga strukturat spitalore.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron qytetarët se shërbimi mjekësor është në gatishmëri për të ofruar jo vetëm urgjencat 24/7, por të gjitha shërbimet e nevojshme për qytetarët në të gjitha nivelet e kujdesit mjekësor”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.
Degjoni denoncimin e qytetarit per mediat: