Kthimi i 4 fëmijëve, Presidenca: Falendërojmë Gjysmë Hënën e Kuqe Siriane!

Presidenca ka reaguar menjëherë pas lajmit të dalë së janë shpëtuar katër fëmijë shqiptarë nga kampi i ferrit Al-Hol, duke falënderuar misionin e Gjysmë Hënës së Kuqe Siriane.
“Falenderojmë Gjysmë Hënën e Kuqe Siriane për lirimin e disa fëmijëve shqiptarë të kampit të Al Haël, të cilët shumë shpejt do të kthehen në Shqipëri. Tani punë për të kthyer të gjitha gratë dhe fëmijët që ndodhen në këtë kamp!”, shkruan në rrjetet sociale Tedi Blushi, zëdhënësi i presidentit Meta.
Statusi i zëdhënësit të Metës, shoqërohet edhe me videon ku jepen momenti i katër fëmijëve shqiptarë që janë në pritje të riatdhesimit.
Një reagim që erdhi menjëherë pas bërjes publike të lajmit që kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Libanit për të riatdhesuar katër fëmijët shqiptarë.
Kryeministri Rama para nisjes për në Liban tha për Top Channel se të parët do merren katër fëmijë dhe një grua. Operacioni do vazhdojë edhe në disa faza për të tërhequr të gjitha gratë dhe fëmijët e tyre.
Prej dy vitesh ato mbahen në kampin e Al Kolit, kamp i kontrolluar nga kurdët të cilët ishin faktori kryesor në luftën kundër ISIS në terren. Gratë e ish luftëtarëve shqiptarë që ju bashkua shtetit terrorist të ISIS ngelen në rrugë dhe historia e tyre u bë e njohur për shkak të historisë së Alvin Berishës./Gazeta Shqip