Një nga krimet më të rënda të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, si Kadri Cakrani rrëmbeu 30 mallakastriotët, i çoi në kampin e Zemunit prej nga nuk u kthyen më kurrë

Nga Asqeri Llanaj
Ka filluar këto kohët e fundit të flitet e shkruhet për Kadri Cakranin, ish-komandant i forvae të Ballit Kombëtar, si për një patriot të madh. Po botohen edhe kujtimet e tij. Është një nga paudhësitë më të mëdha që po bëhet për të kthyer përmbys historinë. Unë që po shkruaj këto radhë, jam bashkëfshatar i Kadri Cakranit.
Ai është një nga kriminelët më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore dhe një nga figurat më të zeza të historisë së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Nuk po i numëroj krimet e panumërta që ka bërë gjatë luftës, ku më shumë i është përmendur masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë, ku nën udhëheqjen e tij, u vranë 84 qytetarë të pafajshëm. Unë po tregoj dhe dëshmoj një nga krimet më të përbinshme të tij ku ai urdhëroi arrestimin dhe dërgimin në kampin e shfarosjes në Zemun të Beogradit të 30 djemve dhe burrave mallakastriotë, shumica e të cilëve ishin nga Cakrani, pra bashkëfshatarë të tij.
Ja si ka ndodhur historia e dhimbshme e rrëfyer nga dëshmitarë okularë, antifashistë të shquar dhe pasardhës të atyre që vdiqën dhe u zhdukën në Zemun të Beogradit.
***
Kapitullimi i ushtrisë fashiste nuk zgjidhi situatën, sepse vendin e tij e zuri një pushtues më i egër që është ushtria naziste. Ushtria hitleriane kishte informacion të plotë për Mallakastrën e servirur nga komandanti i ballit për jugun, Kadri Cakrani, kishte informacion për lidhjet me ide, me ndihmat dhe me forcat njerëzore të rreshtuara në formacionet e rregullta partizane dhe në ato të mbrojtjes territoriale.
Nazistët kudo në Shqipëri kishin hasur në rezistencë të fortë. Ata nuk e mendonin këtë rezistencë nga formacionet vullnetare – territoriale dhe ato formacione të rregullta partizane. Në Drashovicë u bë luftë frontale 23 ditë. Në Mallakastër ata duhej të merrnin me çdo kusht Qafën e Rrerësit dhe Kalanë e Margëlliçit, pozitë e ushtrisë fashiste të cilët më 9 shtator ua dorëzuan pozicionet e armatimin që dispononte ky repart.
Më 23 tetor u krijua formacioni i organizuar partizan Grupi III i Mallakastrës në Fratar, i përbërë nga batalionet: “Semani”, “Ismail Klosi” dhe batalioni “Petro Sota”, me komandant Grupit III Ferik Hodo, i cili për një kohë të shkurtër ja dorëzoj Qamil Hamzos. Komisar Gjon Banushi, zv.komandnat Drervish Hekali, zv.komisar Veis Pipa.
Nuredin Aliu si Kryetar i Këshillit Antifashist Nacianlçlirimtar të Mallakastrës dhe anëtar i Shtabit Zonës I Operative Vlorë – Gjirokastër, e shikonte fitoren në organizimin e forcës së rregullt mallakastriote e fierake.
Forcat naziste në bashkëpunim me krerët e ballit kombëtar e kryesisht të komandantit të saj Kadri Cakranit, kishin informacion për nisjen e 20 djemve cakranjotë në formacionet e Grupit III të Mallakastrës. Nazistët në mënyrë konspirative, të pajisur me harta të pikasur familjet e me spiun të maskuar me uniformë, zbarkuan rrufeshëm në Cakran, ku morën 24 djem e burra, i çuan në kampin provizor, i krijuar nga ushtria fashiste. Tre vetë u arratisën në rrethana të ndryshme. Mbas 10 ditëve, robërit, 19 cakranjotë dhe 11 të zonës Dukas dhe Patos, i transportuan në kampin e Zemunit në Beograd të cilët i shfarosën, i dogjën në furrat çnjerëzore.
Dhe kjo periudhë e lavdishme i dha lirisë 28 mijë heronj e dëshmorë, kurse nga fshati Cakran 44 dëshmorë dhe në bazë komune 107, ngriti si monumente ngjarje e data të mëdha që janë pazgjidhshmërisht të lidhura me historinë.
Për rrëmbimin e 20 djemve cakranjotë më 20 tetor 1943
– Kujtimet e Nuredin Aliut
Më 20 tetor 1943, 20 djem të Cakranit ishin përgatitur për të shkuar në Fratar për t’u bashkuar me forcat partizane. (Nuredin Aliu, kujtimet e tij. Atdhetarizmi familjes cakranjote f.254).(1) Kjo ditë për këta djem do të mbetej ditë historike, sepse do të merrnin pjesë në një formacion luftarak më të madh, më të organizuar, që ishte Grupi III i Mallakastrës. Por kjo ditë mbeti ditë historike e zezë për ta e familjet e tyre dhe për Cakranin. Nuredin Aliu kishte dërguar mesazh përgëzimi dhe kishte dhënë udhëzime pushtetit vendor e këshillave për organizimin e përcjelljes dhe shkuarjen e tyre në destinacion. Ata kishin bërë gati një palë ndërresa, kishin blerë opinga, tre ditë bukë me vete, dhe kush kishte pushkë, ta merrte. Ata rridhnin nga familje atdhetare dhe deri në atë kohë merrnin pjesë në formacionet territoriale të fshatit. Vetë ata dhe familjet e tyre ishin përgatitur me shpirt për të luftuar pushtuesin e egër nazist. Punë të madhe kishin bërë anëtarët e këshillit NÇ të fshatit Rrapo Demo Tafaj e Haxhi Qerim Saliaj.
Djemtë e lagjes Tafaj e të lagjeve të tjera, ishin optimistë në fitoren mbi nazizmin. Ata tregonin historitë e të parëve të tyre në luftën e vitit 1911, për pavarësinë e vendit dhe në atë të vitit 1920.
Grumbullimi e nisja:
Takimi ishte lënë në orën 15.30 – 16.00, tek xhamia e fshatit. Djemtë e Tafajve ishin të një fisi, të një gjaku: Haxhi Ismail Tafaj, Faslli Ismail Tafaj, Kamber Ismail Tafaj, tre vëllezër, tre trima, të cilët në darkë (19 tetor) u betuan për flamurin e Atdheun bashkë me kushërinjtë e tyre, para prindërve. (Kujtimet e Smail Tafajt, prind i Haxhiut, Faslliut, Kamberit) Shefit Dano Tafaj, Refat Dano Tafaj, të cilët para se të flinin atë natë përkëdhelën fëmijët e tyre, pastaj fëmijët e tyre u përulën para prindërve e ju presim me Shqipërinë e çliruar. Vëllai më i vogël beqar, Sherif Dano Tafaj, i cili me dinamizëm fliste se unë do të vras shumë të mallkuar, të cilët dogjën shtëpinë time, Cakranin dhe Mallakastrën e vendin tonë. S’ka pse të mos e bëjë këtë, sepse dhe babanë snajper e kam, rracë luftëtarësh jemi. Gëzimi ishte i madh. I riu priste me padurim ditën e nisjes.
Gjysho Isa Tafaj, në moshën njëzetë vjeçare, mori pjesë në Luftën e Vlorës dhe u dallua për trimëri e guxim, duke qenë i pari në aksione. Më 1935, në kryengritjen e Fierit, ai u arrestua në morinë e të arrestuarëve, u mbajt për pak ditë, se nuk paraqiste ndonjë rrezikshmëri.
Gjyshua u betua, bashkë me nipërit, duke pasur besim në fitoren kundër nazistëve e bashkëpuntorëve të tyre.
Rrapo Demo Tafaj, bashkë me Gjyshon, bënë organizimin e betimit para prindërve e shokëve që në darkë. Atë natë i kishte ardhur për darkë edhe i kunati i tij Barjam Muhamet Hazizaj, në kordinim të veprimeve, i cili do të nisej për në Fratar bashkë me luftëtarët e Tafajve. Edhe Barjami bëri betimin bashkë me shokët e tij tafanjakë. Darka kaloi kënaqshëm me hallet dhe preokupacionet e Cakranit e të Mallakastrës.
Rrapua do t’i përcillte deri sa të bashkoheshin të gjithë tek xhamija, që ishte në qendër të fshatit, e pastaj do të merrej me problemet që kishin këshillat ANÇ me organizimin e forcave vullnetare, ruajtjen e popullatës nga kriminelët. Tek xhamija do të takoheshin me Faslli Brahush Faskaj, Ferro Halim Hajdari, Ismail Mustafa Hajdari, Gjysho Myrto Hajdari, të lagjes Gropas. Të katër këta ishin gati për të dalë nga dera dhe menjëherë u arrestuan nga forcat gjermane. Edhe ata vetë u habitën.
Në lagjen Sulaj, ishin përgatitur nga antari i këshillit ANÇ Haxhi Qerimi, Shaban Abedin Saliaj, Seit e Sadush Xhelo Taraj; në Ruçaj e Bregas, ishin përgatitur Xhafo Dano Ruçaj, Tofik Hekuran Bregasi, Muharrem Feçorr Bregasi etj.
Po ç`ndodhi?
Këtë e tregon Isa Shefit Sadikaj, dëshmitar okular.
Ja si e tregon ai ngjarjen:
Nën udhëheqjen e Nuredin Aliut, fshati Cakran ishte i lidhur kryesisht me Lëvizjen Antifashiste NÇ. Veçanërisht operacionet fashiste italiane, bashkë me bandën e Isa Toskës, në qershor – korrik 1943, dogjën e shkatërruan Cakranin. Populli i kësaj zone dhe i gjithë Mallakastrës, jo vetëm që nuk u frikësua, por iu shtua urrejtja më e madhe dhe një vendosmëri, se me çdo kusht duhej luftuar armiku pushtues. Kjo vihej re sidomos kur shikoje shtëpitë e djegura dhe fshatarët mundoheshin t’u bënin ndonjë meremetim dhe të futeshin në to, sepse dimri do të vinte shumë shpejt. Të vinte keq që ishe në hallin tënd, në shtëpinë tënde dhe vjen i huaji e të djeg shtëpinë, por edhe të vret.
Rreth orës 11.00, në xhaminë e Cakranit u dëgjuan tre të shtëna pushke e një bombë, por edhe të bërtitura nga të gjitha anët: vëllezër cakranjotë, merrni armët e zini pozicione apo fshihuni, se do t’u zënë gjermanët! Dhe ky njeri, që i kishte parë me sy gjermanët në xhaden e Cakranit, ishte nipi i Nuredin Aliut, Hysen Shahin Rrapaj.
Ç’ndodhi më tej, e pyes?
Unë, – tregon Isai, – bashkë me vëllanë më të madh, Gjyshon, morëm pushkët dhe hymë në korijen e Skënderajve, u pozicionuam mirë, u maskuam dhe ishim gati për të hapur zjarr. Pas pak minutash vjen babai aty afër e na thotë: lini pushkët të fshehura dhe hajdeni në shtëpi, se dikush na tha që, po të jesh në shtëpi, të kontrollojnë për armë dhe s’të ngacmojnë. Dhe ashtu bëmë. Shkuam në shtëpi dhe pas pak minutash ushtarët gjermanë hynë në oborr, pastaj në shtëpi, kontrolluan cep më cep të saj dhe na morën neve, babanë, Shefitin, mua e Gjyshon. Kur dolëm në oborr, unë pashë të izoluar Islam Fejzo Ruçaj dhe Xhafo Dano Ruçaj.
Si vepruan ushtarët gjerman?
Ata erdhën nga Fieri, me tre makina, me drejtim Kreshpan – Cakran dhe mendoj se ishin 30-40 ushtarë. Mendoj se ishin informuar mirë e saktë për vendosjen e atyre forcave që ishin përgatitur për të dalë partizanë.
Makina e parë qendroi tek ura (ku kanë qenë stallat e lopëve) dhe ushtarët nisen me shpejtësi drejt lagjes Tafaj. Si më kanë treguar tafanjakët atje në kamp, ushtarët gjermanë filluan kontrollin në shtëpitë e para dhe rrëmbyen vëllezërit Shefit Dano Tafaj, Refat Dano Tafaj dhe Sherif Dano Tafaj, duke bërtitur: partizan, partizan, komunist! Mbi shtëpitë e Dano Tafaj, hynë në shtëpinë e Rrapo Demo Tafaj, rrëmbejnë të zotin e shtëpisë dhe kunatin e tij Barjam Muhamet Hazizaj, pastaj me shpejtësi 2-3 ushtarë gjermanë ngjiten lart tek shtëpitë e Ismailit, rrëmbejnë tre djemtë e vëllanë e tij, Kamber Ismail Tafaj, Faslli Ismail Tafaj, Haxhi Ismail Tafaj dhe xhaxhanë e tyre Gjysho Isa Tafaj e, ngjitur me ta, marrin djalin e vogël Agur Dervish Tafaj. Pra, për 10 minuta morën 10 djem të lagjes Tafaj, i vunë përpara drejt lagjes Llanaj, që ishte 200 m. larg e më në jug. Kontrollojnë edhe në shtëpitë e djegura. Në një shtëpi të djegur, që ishte e veçuar, në strofkën (kasolle)e qenit u fut Gani Hazisi. Gjermanët hodhën sytë nga ajo shtëpi, panë qenin e lidhur që lehte dhe u larguan. Më pas hynë në shtëpinë e Jonus Llanaj, prapa mëngrës (mullirit të vajit), gjetën Jonuzin, që ishte strukur për t’u fshehur, e morën.
– U, ngjiten lartë e kontrolluan lagjen Zadrima e Festaj drejte në Qafën e Varrit në drejtim të Patosit, vend nga ku shikoheshin shtëpitë e tafajve. Aty ishin ulur, komunikuan me radio e prisnin. Pas gjysëm ore erdhi aty grupi tjertër.
Makina e dytë kishte ndaluar tek Ura e Serasit. Zbritën ushtarët gjermanë e me shpejtësi u ngjitën në lagjen Gropas, e përbërë nga disa fise. Aty zunë Faslli Brahush Faskaj, më në veri Ismail Mustafa Hajdarin, Gjysho Myrto Hajdariin, Ferro Halim Hajdarin. Të katër këta ishin bërë gati dhe prisnin thirrjen e shokëve për t’u takuar tek xhamija e për t’u nisur për në Fratar. Gjermanët ngjiten lartë në Kodhelaj, ku zunë të moshuarin Velo Abedin Kodhelaj. Kontrolluan lagjet Mehmetaj, Hazizaj e Haxhaj e vazhdojnë në drejtim të lagjes Sulaj. Poshtë shtëpive të Asllan Smailit, në bahçen që quhet “Ullinjtë e Nazërit” grupi ulet për të pritur të tjerët.“
Grupi i tretë zbret nga makinë tek ura e Gurzes dhe me shpejtësi nisen lartë fshatit. Lënë në të djathtë lagjet Veizaj, Mihaj etj., pothuajse 1/3 e fshatit Cakran pa u kontrolluar. Kontrollin ky grup e filloi në lagjen Ruçaj, ku morën Islam Fejzo Ruçaj dhe Xhafo Dano Ruçaj. Në Shahaj nuk zunë njeri, por dhe kontrolli qe i përciptë, sepse iu sulën lagjes Bregas, ku zunë Arif Mehmet Bregasi dhe Muharrem Feçorr Bregasi. Ky, siç tregonte vetë, duke qendruar në oborr ku e ruante një ushtar gjerman, shfrytëzoi momentin kur ai u përqendrua tek të bërtiturat e plakave brenda shtëpisë, dhe iku duke u futur në korien që ishte shumë e dëndur dhe as 2-3 m. larg. Gjermani shtiu me automatik, por plumbat nuk mundën ta kapin. Kështu ata erdhën pranë shtëpive tona dhe, duke kontrolluar në shtëpinë e Tofik Hekuran Bregasit, e gjejnë atë dhe e marrin. Hynë në shtëpinë tonë dhe na muarën: babanë, Shefitin, mua dhe Gjyshon, vëllanë e madh timin. Vazhduan rrugën për në lagjen Sulaj, ku morën dy vëllezërit Seit Xhelo Taraj dhe Sadush Xhelo Taraj, e më pas Shaban Abedin Saliaj i bashkohet të arrestuarëve.
Kthehemi në të majtë, – vazhdon tregimin Isai, – nën shtëpitë e Asllan Smahilit, gjejmë grupin me robërit e Gropasit. Aty kapua i grupit që drejtonte bëri seleksionimin e të moshuarëve, duke nxjerr babain tim, Shefitin, dhe Velo Abedinin, të cilët i liruan. Ne, të dy grupet, së bashku muarëm rrugën mbi Kodhelaj në drejtim të Qafës së Varrit. Atje gjejmë grupin e robërve të Tafajve të ulur. Nazistët bënë organizimin, duke na ndarë në dy grupe. Ishim afro 25 vetë. Na ngarkuan me arkat me municion që kishin me vete. U nisëm, ushtarët gjerman përpara e disa mbrapa, por na porositën me shënja: po kaluat anash do ju vrasim! Vazhduam kreshtës së malit dhe mbritëm në Shesh-Shpirt mbi Gurëzezë, që është dhe pika më e lartë e Malit të Cakranit. Për herë të fundit pamë fshatin tonë. Zbritëm në rrugën e ngushtë që është e veshur nga të dyja anët me shkozë si garth në Qafë të Shkallzës dhe arritëm në lagjen Djellas të fshatit Patos, që ishte djegur e shkatërruar. Aty pimë ujë dhe pushojmë pak. Një gjerman hipi në një lis me hardhi dhe këputi veriga me rrush e ua dha shokëve të tij, të cilët filluan të hanin, pastaj pinë ujë. Unë – thotë Isai – tentova të largohem dhe gjoja ula pantallonat, por kur gjermani më bërtiti, u çova me pantallona në duar. Tentativa për t’u ikur dështoi.
Fshati Cakran dhe si u krye goditja sipas shigjetave.
Vazhduam rrugën, u hodhëm tek ura mbi lumin Gjanicë dhe u ngjitëm në një të përpjetë. Diku bëmë dhe një pushim dhe përsëri drejt Qafës së Rrerësit. Herë pas here ndërronim arkat me fishekë të tyre dhe, në të errur, mbritëm në kampin afër Kalasë së Margëlliçit. Atje ishte një kapanon italian me një oborr të madh dhe nga mbrapa kishte shkurre, ku kryenim nevojat personale. Ky objekt i rrethuar me tela me gjemba dhe me kulla vrojtimi në disa pika, në kohën e italianëve ishte kamp përqendrimi, ku ishin internuar 130 malazezë, të cilët u çliruan kur ra fashizmi.
Në kamp na lanë 24 orë pa ushqim. Më vonë na prunë nga 100 gr. bukë, duke na e hedhur si qenit.
Më kujtohen këto çaste: në kamp neve gjetëm shumë italianë, por gjetëm dhe 11 vetë të çetës së Dukas – Rrerës e drejtuar nga një burrë i nderuar, Late Bregu, burrë i mençur, i cili ruante që në pamje vlera fisnikërie. Anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Mallakastrës, komandant i çetës vullnetare luftarake të Dukasit, si në Luftën e Vlorës 1920 dhe tani në LANÇ. I prishi mbledhjen për rekrutim të ballistëve Kadri Cakranit në fshatin Dukas. E dyta, dy ushtarë gjermanë ishin zenë tek Ura e Mifolit rob nga partizanët dhe ishin liruar po nga ata. Ata na rreshtuan e na thanë: kush është komunist të dalë dy hapa përpara. Asnjë nuk doli nga rreshti. Ata po shikonin me vërejtje fytyrat tona, pastaj më nxorën mua dhe një tjetër, duke thënë: komunist, partizan! Jo – i them unë e shoku tjetër. Të gjithë të rreshtuarit bërtitën: nacionalist!
Askush nuk dinte se ç’do të bëhej me neve, ku do të na çonin, apo do të kish ndonjë bisedë nga pala nacionaliste, sepse ata ishin në koalicion me gjermanët. Por i madhi Late Bregu (neve i thoshim Late Dukasi) tha: “neve këta do të na çfarosin, sepse ata që kanë dhënë informacion se kush jemi neve, janë të Ballit Kombëtar. Veçanërisht mua ma ka vëth në vesh Kadriu, e di që jam komandant çete dhe anëtar i Këshillit Mallakastër. Si bën vaki që në Cakran gjysma e lagjes kontrollohet e gjysma jo! Për mua që i njoh problemet politike sot, kjo është frut i Ballit Kombëtar”.
Po të tjerët si u larguan?
– Po! Arif Mehmeti e disa të tjerë si unë me vëllanë, Gjyshon, u larguan kur një aeroplan anglez bombardoi afër. Në këtë kohë ky mori guxim e u largua.
A ke dijeni për cakranjotët e tjerë që mbetën në kamp?
– Jo, nuk dija asgjë! Unë kam shprehur keqardhjen shpirtërore për këta njerëz të mrekullueshëm, atdhetarë, për familjarët e tyre. Në të njëjtin akt dramatik mund të përfundoja edhe unë. Fati im, i vëllait tim e disa të tjerëve qe ky! Por më vonë, mbas shkurtit 1944, unë jam rreshtuar në Grupin III të Mallakastrës, – përfundon Isai, – ku atje gjeta dhe Muharrem Bregasin, i cili iku qysh atë natë për në Fratar e shumë cakranjotë .
Shënim: Reprezaljet e tafajve e të gropasakëve unë i kam dëgjuar nga ata në rrugë e në kamp, vetë pashë raprezaljet e lagjes time e të Sulajve.
REAGIMI PËR TË RRËMBYERIT
Prindërit, bashkëshortet dhe fëmijët e të rrëmbyerve, atë ditë e në vazhdim, e kishin ditë zije. Ata i shikoje me lotë në sy, me një vrarje shpirtërore, me ndjenjën e frikës e të mosbesimit për të ardhmen e terrorit të pushtuesve dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Por ata kishin shpresë se të rrëmbyerit do të ktheheshin tek familjet apo fëmijët e tyre. Menjëherë filluan të mendonin e të arsyetonin se kush ishte spiuni që nazistët të bënin arrestime në mënyrë selektive në lagje e në fshat. Kush mund ta kishte dhënë këtë informacion të saktë që nazistët vepruan në mënyrë të rrufeshme dhe, për disa minuta, bënë raprezaljet dhe rrëmbimin e djemve e të burrave të Cakranit. Këta ishin ballistët e veshur si gjerman, ishte Kujtim Cakrani që dinte të fliste gjermanish
Balli Kombëtar u kundërvihej dhe quante shkaktarë forcat partizane, të cilat hahen me një fuqi të madhe. Dhe merrnin si shembull luftën që u zhvillua në Patos e deri sulmin në Ballsh më 7 – 8 tetor 1943.
Reagime pati dhe nga kryesia e Këshillit Antifashist NÇ të Mallakastrës, e drejtuar nga Nuredin Aliu, që ishte njëkohësisht dhe anëtar i Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë – Gjirokastër – Mallakastër. Ai fajësonte direkt krerët e Ballit Kombëtar, komandantin e saj, Kadri Cakrani.
Të shfarosur në Kampin e Zemunit nga fshati Cakran.
1.- Rrapo Demo Tafaj
2.- Gjysho Isa Tafaj
3.- Haxhi Ismail Tafaj
4.- Faslli Ismail Tafaj
5.- Kamber Ismail Tafaj
6.- Shefit Dano Tafaj
7.- Refat Dano Tafaj
8.- Sherif Dano Tafaj
9.- Agur Dervish Tafaj
10.- Barjam Muhamet Hazizi
11.- Gjysho Myrto Hajdëraj
12.- Ferro Halim Hajdëraj
13.- Ismahil Mustafa Hajdëraj
14.- Faslli Brahush Faskaj
15.- Sadush Xhelo Taraj
16.- Seit Xhelo Taraj
17.- Tofik Hekuran Bregasi
18.- Shaban Abedin Saliaj
19.- Xhafo Dano Ruçaj
Të shfarosurit në Kampin e Zemunit nga fshati Dukas – Patos.
- Late Hasan Bregu
- Ymer Haxhi Shpërdheja
- Gani File Banaj
- Murat Abaz Bregu
- Nehim Lamçe Isufi
- Mehmet Qazim Isufi
- Rexhep Qazim Isufi
- Qazim Ago Agaj
- Rushit Jonuz Qallia
- Dervish Muço Banaj
- Ismail Banaj
——–
Botuar sot si kopertinë e DITA.