Kryemadhi flet për vilën në Lalëz: Nuset vijnë për foto, e kemi deklaruar

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka reaguar për vilën luksoze që familja presidenciale ka në Lalëz. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Kryemadhi tha se e ka deklaruar vilën, madje aty shkojnë edhe nuset për të bërë foto.
Reagimi i Kryemadhit, erdhi pas akuzave të kryebashkiakut Veliaj.
“Monika Kryemadhi e ka deklaruar vilën e Lalzit. E dinë gjithë shqiptaret madje vijnë bëjnë dhe foto në oborrin e Monikës dhe ndonjë nuse me dhëndër vijnë bëjnë fotot e dasmës. Ky lali Eri i ka deklaruar këto pronat e veta? Lali Eri do ta deklarojë këtë deklaratën për banorët e kombinatit dhe pallateve pupulite. Do t’iu japë një kontratë që këta njerëz do të rimarrin shtëpitë e tyre?”, tha Kryemadhi.
Dy ditë më parë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha nga Zall Herri se “hallet e Monës janë vilat miliona euro, jo hallet e njerëzve”.
“Keni halle si Zeni me vila 1 milion e ca euro? Apo keni halle për punësimin, për shkollimin, për të gjithë investimet e tjera? Nëse ka të rinj që nuk kanë hallet e vilës 1 milion euro, por kanë halle të ngjashme me tonat, duhet t’u themi ejani në familjen tone, se jeni më të ngjashëm me ne, sesa me ata. Nëse zonjat e Zall Herrit nuk kanë halle për 9 banjo për 9 macet, por kanë halle për shtëpinë që ua prishi tërmeti, kanë hallet e fëmijëve të tyre si do i avancojë karriera, kanë hallin e ekonomisë së tyre familjare në fshat, atëherë i kanë hallet më të ngjashme me tonat se me të Monës, ndaj kjo është arsyeja pse duhet të vijnë në familjen tonë,” u shpreh Veliaj.