“Rrotë, robt, legen”/ Të rinjtë tregojnë pse shajnë: Dukemi më të rritur, vajzat…

Tendenca më e re e të rinjve shqiptarë është përdorimi i një fjalori, i cili tashmë duket gjithnjë e më shumë i konsoliduar. Një fjalor, i cili gjen vend kudo që ata ndodhen. Një fjalor, i cili rezulton i pakuptueshëm për brezat e tjerë.
Mjaftojnë pak orë mes tyre për të kuptuar se ekzistojnë disa lloje kodesh, fjalësh dhe deri tek bashkëbisedime të tjera që të lenë pa fjalë. Duket se nuk dëgjon të flitet shqip hera herës. Ndër vite janë njohur forma të ndryshme të komunikimit mes njerëzve.
Në “Shqipëria Live” u diskutua rreth fjalorit të të rinjve në hapësirat pranë gjimnazeve apo kudo. Madje gjatë intervistave me të rinjtë, u kuptua se ata kishin turp që të shpreheshin rreth kësaj teme në kamera dhe nga ana tjetër as nuk iu dinin kuptimin disa fjalëve që përdornin.
Të rinjtë u shprehën se janë të vetëdijshëm që kjo sjellje nuk i bën të duken bukur, por ndihen më të rritur. Sado që përpiqen t’i eliminojnë e kanë të pamundur.
“Vetëm me shoqërinë e ngushtë i përdor. Nuk është etike, por që është bërë normale tani”, tha një djalë për “Shqipëria Live”. Ndërsa një tjetër tha: “Nuk më pëlqejnë, se edhe fëmijët i mësojnë më pas dhe i përdorin si të rriturit”.
Ndërsa një vajzë në klasën e tetë tha: “Shoqet e mia nuk i përdorin, por djemtë po. Madje djemve u duket vetja sikur janë në vit të parë”.
“Unë përdor këtë robt, gjërat ë vogla”, tha një tjetër. “Po bëhet problematikë, po i përdorin më shumë vajzat se djemtë. Më mirë t’i heqim fare nga fjalori”, tha një djalë.