“Të harrojë Rama…”/ Gratë naftëtare vazhdojnë grevën, reagon kryeministri: Keni vetëm një rrugë

Gratë naftëtare të Ballshit hyjnë sot në ditën e 14-të të grevës së urisë. Në mbështetje të tyre ditën e sotme kanë shkuar dhe gratë naftëtare të Kuçovës.
‘Duam zgjidhje sa më shpejt. Të harrojë Rama që ne dalim nga këtu pa marrë paratë tona.’- shprehen naftëtaret.
Ndërkohë ka reaguar edhe kryeministri, i cili përsërit qëndrimin se nuk do ulet për bisedime me ta me presione dhe ultimatume. Për kryeministrin ka vetëm një rrugë: Mbyllni grevën dhe ulemi qajmë hallin
“Të dashura greviste të Ballshit, është e drejta juaj të mos dilni nga greva, por është e pamundur të ulemi bashkë me presione e ultimatume! Jam gati të vij tek ju sapo të mbyllni grevën e të flasim si do mundemi t’ju ndihmojmë për këtë hall që nuk e ka krijuar qeveria.
Ne po punojmë për të gjetur investitorë seriozë që të rindezin rafinerinë edhe pse greva juaj nuk ndihmon as për këtë! Ndërsa për ndihmën e mundshme shtetërore ndërkohë, meqë ju s’pranoni as të dilni në asistencë, ka vetëm një rrugë: Mbyllni grevën dhe ulemi qajmë hallin!”, shkruan kryeministri.