Xhihadistët shqiptarë/ Si u rekrutuan 100 shqiptarët për në ISIS, ligji parashikon 15 vjet burgim

Në janarin e vitit 2006, e përditshja italiane “La Stampa” publikonte një artikull me titull “Propagandë e rekrutim. Shqipëria udhëryq i xhihadistëve”. Autori i saj, Lorenzo Vidino, korrespondent i kësaj gazete në Ëashington informoi atëherë mbi shqetësimin e shërbimeve sekrete antiterroriste europiane, amerikane e të Lindjes së Mesme mbi rritjen e numrit të xhihadistëve shqiptarë që rekrutojnë luftëtarë të rinj të ISIS në komunitetin e diasporës shqiptare në Europë, përfshirë dhe Italinë.
“Kosova ka numrin më të lartë në Europë të luftëtarëve xhihadistë në Siri në raport me numrin e popullsisë dhe xhihadistët me etni shqiptare zënë postet më të lartë në forcat ushtarake të Kalifatit të Bagdadit. “Megjithëse jug-perëndimi i Ballkanit ka qënë gjithmonë një territor i islamit të moderuar e laik, ky problem ka lindur pas viteve ’90, shkruante atëherë autori i artikullit.
Por, sa qëndron ky fakt dhe si kanë vepruar xhihadistët shqiptarë drejt rrugëtimit të tyre. Në nisje të shumë shqiptarëve drejt Sirisë u piketua si “udhërrëfyese” Xhamia e Mëzezit në Tiranë.
Kjo xhami është një prej shtatë xhamive që operonin jashtë autoritetit të Komuniteti Mysliman Shqiptar. Ndryshe nga pjesa më e madhe e 727 xhamive të Shqipërisë, këto xhami e kanë refuzuar udhëheqjen nga imamë të caktuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.
Sipas një raporti, nga viti 2012 më shumë se 100 shqiptarë, kryesisht djem të rinj, i janë bashkuar grupeve të xhihadistëve që luftojnë në Siri. Pothuajse të gjithë iu bashkuan Al Nusrës-krahu ushtarak i Al Kaedas ose ISIS-it. Sipas burimeve të Shërbimit Informativ Shtetëror, pjesa më e madhe ishin radikalizuar dhe rekrutuar në xhami jashtë kontrollit të KMSH-së. Futja e këtyre xhamive nën kontrollin e Komunitetit Mysliman Shqiptar është kthyer në një prioritet kryesor për Shqipërinë.
Me shqiptarët tashmë të lirë të praktikojnë hapur fenë, në vend erdhën shumë grupe të huaja islamike me qëllime të ndryshme. Disa erdhën për të ndihmuar të varfrit, disa për të ndërtuar xhami dhe të tjerë për të përkrahur interpretimet e vijës së ashpër konservatore të Islamit.
Xhamitë që mbeten jashtë kontrollit KMSH-së raportohet se i përkasin traditës shumë konservatore Selefi dhe rreth shtatë prej tyre, duke përfshirë edhe xhaminë e Mëzezit, janë lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me promovimin e xhihadit të dhunshëm dhe rekrutimin e luftëtarëve për ISIS-in dhe Al Nusrën.
Rreziku i luftëtarëve të kthyer
Përveç ndalimit të radikalizimit të lidhur me disa xhami, Shqipëria duhet gjithashtu të përballet me kërcënimet që lidhen si me “eksportimin” e xhihadistëve, ashtu edhe me luftëtarët e kthyer në vend. Në fillim të vitit 2014, të paktën 40 luftëtarë shqiptarë ishin kthyer nga Siria.
Pavarësisht kërcënimit, qeveria e gjeti veten pa një legjislacion për të ndjekur penalisht luftëtarët e ardhshëm xhihadistë, ata që janë kthyer apo ata që akuzohen për radikalizim, financim dhe mbështetje të ekstremizmit të dhunshëm islamik.
Në shkurt 2014, parlamenti miratoi paketën ligjore që e bënte, në pjesën më të madhe të rasteve, pjesëmarrjen në konflikte të armatosura dhe bashkimin në grupe ushtarake në vende të huaja një vepër penale të ndëshkueshme deri në 8 vjet burg. Shqiptarët tani rrezikojnë deri në 15 vjet burg për nxitje, rekrutim, financim dhe mbështetje të të tjerëve në konflikte të huaja.
Ligjet e reja i hapën rrugë kontrolleve dhe arrestimeve të marsit 2014. Dhjetë shqiptarë, mes të cilëve edhe tre imamë, janë aktualisht në gjyq dhe përballen me akuzat për inkurajim dhe rekrutim luftëtarësh. Nëntë prej tyre gjykohen së bashku, ndërsa një proces i ndarë është hapur së fundmi në gjykatë.
Ndërkohë, shërbimi sekret shqiptar ishte në dijeni të kërcënimit xhihadist në një fazë të hershme dhe mund të përgjigjej relativisht shpejt, pjesërisht për shkak të bashkëpunimit me agjencitë amerikane dhe atyre europiane.
Pavarësisht rënies së shifrave të luftëtarëve dhe ndjekjes penale të personave që dyshohet se i kanë radikalizuar dhe rekrutuar ata, disa ekspertë janë të shqetësuar se përgjigja e shtetit ndaj radikalizimit deri tani është kufizuar vetëm tek agjencitë e sundimit të ligjit.
Qeveria lajmëroi në janar se ka në plan të hapë një qendër kundër radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, e cila do të përqendrohet te edukimi dhe promovimi i tolerancës fetare.
Shqiptarët që shpallen fajtorë “për pjesëmarrje në konflikte të armatosura ose (i bashkohen) grupeve të armatosura në vende të huaja, të cilët nuk janë shtetas të shtetit të huaj apo anëtarë të forcave të armatosura të palëve në konflikt” tani përballen me dënime që variojnë nga tre deri në tetë vjet burg.
Dënime me pesë deri në 10 vjet burg mund të jepen për ata që shpallen fajtorë se kanë luftuar jashtë vendit “me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues apo shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj”.
Përveç kësaj, “nxitja, rekrutimi, organizimi, lidershipi, trajnimi, krijimi apo përdorimi i fondeve ose fondeve të tjera ose financimi për njerëzit në çfarëdolloj forme apo mënyre për të kryer” pjesëmarrje në konflikte të armatosura apo grupe ushtarake në vende të huaja tani ndëshkohet me pesë deri në 15 vjet burg.
Shpërndarja e propagandës ekstremiste dhe çfarëdolloj forme thirrje publike për pjesëmarrje në konflikte të armatosura të huaja ndëshkohet me deri tre vjet burg.
Gazeta Shqip