Dita e 15 e grevës së urisë, naftëtarëve të Ballshit iu bashkohet dhe deputetja Rudina Hajdari

Deputetja Rudina Hajdari i është bashkuar mëngjesin e sotëm protestës dhe grevës së urisë që prej 15 ditësh po zhvillojnë gratë naftëtare të Ballshit.
Naftëtarët i kanë kërkuar Hajdarit që t’i ndihmojë ata dhe të ngrejë zërin për hallin e tyre në Parlament. “Na likuidoni pagat e prapambetura, kaq duam”, janë shprehur ata. Prej disa ditësh, gratë naftëtare kanë “kominikuar” përmes medias me kryeministrin Rama, i cili nga Twitter-i u ka bërë të qartë se nëse nuk dalin nga greva, ai nuk ulet në bisedime.
Ndërkohë, Rudina Hajdari e ka quajtur të turpshëm mosreagimin e qeverisë. “Ju luftoni dhe për shumë njerëz të tjerë, për të cilët qeveria nuk plotëson as kushtet minimale. Mosreagimi i qeverisë për rezistencën tuaj është i pakuptimtë dhe i turpshëm”, ka thënë deputetja.
Gjendja e tyre shëndetësore pas më shumë se dy javësh në grevë ëhstë përkeqësuar dhe prej ditësh mjekët e spitalit të Ballshit kanë kërkuar që ato të marrin mjekim, pasi vuajnë dhe nga sëmundje të tjera, por ato kanë refuzuar.
Gratë naftëtare u futën në grevë urie pasi naftëtarët burra dolën nga greva sepse pas më shumë se 25 ditësh nuk pati asnjë reagim nga intitucionet shtetërore dhe në kushte të rënda shëndetësore ku rrezikohej seriozisht jeta e tyre, dhe më kërkesë të mjekëve, u detyruan ta ndërpresin atë.
Ata kërkojnë mbi 20 pagat e prapambetura, të fituara dhe me gjyq, por që Përmbarimi nuk i ekzekuton.