Pas kërcënimeve nga BE, cilat janë pasojat për Ramën që nuk e priti “Venecian”?!

YLLI PATA

Parlamenti me shumicë votash rrëzoi dekretin e Ilir Metës për ndryshimet në Kodin, duke injoruar kështu kërkesën e Komisionerit për Zgjerim të BE-së dhe disa eurodeputetëve të rëndësishëm të Parlamentit Europian për të pritur opinionin e Komisionit të venecias.

Me këtë fakt të kryer, pritet që të ketë natyrisht pasoja politike për palët e përfshira në proces. E kryesisht bëhet fjalë për Edi Ramën, pasi ai i miratoi ndryshimet në Kod pa konsensusin e PD-së dhe LSI-së.

Qëndrimet e disa eurodeputetëve të Partisë Popullore Europiane drejtuar qeverisë që të mos e votojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, e të presin këshillat e Komisionit të Venecias, ishin të pritshme pas deklaratës së bërë nga Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, një ditë pasi Presidenti Meta kërkoi zyrtarisht nga Venecia të japë opinionin e saj.

PPE është një aleate e Partisë Demokratike, dhe natyrshëm që ajo të përkrahë qëndrimet e saj, pasi ishte Basha ai që i kërkoi metës që të çojë shkresën në Venecia.

Shto këtu që në këtë rast Europa është e “etur” prej vitesh për të mbështetur qëndrime konstruktive të opozitës shqiptare siç janë veprimet brenda institucioneve apo hapa të tillë siç është kërkesa nga Komisioni i Venecias.

Por këtë herë çështja është pak më e komplikuar se kaq. Si nga ana politike, por edhe nga ana teknike dhe realiteti.

Ta nisim nga e dyta; nëse do të pritej dhjetori, pra që Komisioni i Venecias të sillte Opinionin, i cili më pas të bëhej një Kod i ri, atëherë sipas të gjitha gjasave procesi do ta kalonte dhjetorin e mund të mbyllej në fund të sesionit.

Duke rrezikuar zgjedhjet e 25 prillit, ngaqë nuk janë ngritur as strukturat e duhura, apo që të bëhej testi i teknologjisë në zgjedhje.

Por në fakt Shqipëria, shpesh i ka miratuar ndryshimet në Kod in-ecstremis dhe i ka implementuar me vrap në zgjedhje, që më pas janë kontestuar nga ai që ka humbur.

Edhe këtë radhë mund të kishte ndodhur, ndaj dhe vijmë në çështjen e parë, pra që e gjithë ky zë i ngritur i zyrtarëve nga BE është i pastër politikisht.

Duket qartë se ata e kanë me Edi Ramën, pasi kryeministri ndryshoi formulën e koalicioneve dhe hapi listat, pa marrë konsensusin e opozitës.

Ky është qartësisht një vendim i paramenduar i Edi Ramës, i cili ka qenë koshient se ky akt do të provokonte këtë pasojë që po sjell.

Siç edhe e ka ditur opozita, e cila nuk “bëri të fundit” pas miratimeve të njëanshme nga PS dhe opozita parlamentare.

Madje protestat apo sherret mund t’i kishin prishur më shumë punë, PD-së sidomos. Ky qëndrim, i ka rritur pikët Bashës tek partnerët e tij në Europë, ku kreu i PD natyrisht që lobon prej kohësh.

Por pyetja shtrohet, a do të merrnim ne gjithsesi vendimin për Hapjen e Konferencës Ndërqeveritare nëse do të pritej Venecia?

E gjithë urgjenca për këtë konferencë është të bëhet brenda Presidencës gjermane që mbaron më 31 dhjetor të këij viti. Por nëse “Venecia” vonon deri në dhjetor, ka gjasa që sërish çështja të shtyhej, megjithëse vendimi që do të japë Angela Merkel këtë radhë është politik.

Për vendimin e parë, pra “hapjen e negociatave” që u mor në mes të pandemisë, Bundestagu e ka dhënë vendimin e tij politik së bashku edhe kushtet deri në plotësimin e tyre, si një “peng” deri në fillimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Vendimin nuk e merr më Bundestagu, që është një vend ku opozita në fakt ka lobuar shumë edhe në të shkuarën, e gjithsesi parlamenti gjerman ndikon.

Dhe këtë e di mirë opozita, sidomos Ilir Meta, i cili pas bisedës së Kryeministrit me Angela Merkelin me videokonferencë deklaroi se “Merkel nuk ka gjë në dorë”, duke i mëshuar Bundestagut.

Mali i Zi, ka qenë një vend, ku opozita ka akuzuar qeverinë e Milo Gjukanoviçit për trukime në zgjedhje, korrupsion e krim të organizuar, por BE hapi konferencën ndërqeveritare menjëherë, pasi u mor vendimi për hapjen e negociatave. E kjo u bë për arsye politike e gjeopolitike.

Vendimi për hapjen e negociatave u mor në mars në Samitin e Zagrebit, nën presidencën kroate e cila e kishte prioritet Ballkanin Perëndimor, siç e ka edhe Gjermania. Në nisje të vitit të ardhshëm presidencën e merr 6 muaj Portugalia dhe më pas vjen sërish në Ballkan, pasi presidencën e merr Sllovenia. Konferenca e parë Ndërqeveritare është më e rëndësishmja politikisht duke qenë se përcakton kuadrin e përgjithshëm për negociatat, si dhe hapjen zyrtare të tyre. Këtu shkëmbehen qëndrimet e përgjithshme negociuese mes BE-së dhe vendit kandidat dhe prezantohen grupet negociatore. Më pas fillon një proces i lodhshëm dhe më shumë teknik i bisedimeve.

Edi Rama do të fitonte pikë politikisht nëse do të hapej Konferenca Qeveritare brenda presidencës gjermane në BE-së, por aq do të fitonte edhe Lulzim Basha, madje edhe më shumë, duke qenë se e detyroi Ramën të zbythej nga heqja e koalicionit-tren dhe listat e hapura. Ku pas dhjetorit do të niste një odise e vërtetë në Këshillin Politik për të implementuar kërkesat e opozitës, çka do e kishte sjellë procesin në një humnerë pafund për mazhorancën që do të tërhiqej e tërhiqej duke shkuar deri tek dera.

Në këtë rast, edhe nëse nuk zhvillohet Konferenca e Parë Ndërqeveritare, opozita ka një kartë të rëndësishme politike për ta përdorur më 25 prill, por realisht nuk ka koalicionet siç i donte ajo. Edi Rama do të ketë një kartë minus, madje edhe kritika më shumë nga BE, por do të ketë një kartë plus pra koalicionet siç i donte, të cilat nuk favorizojnë atë që Rama ka vënë në shënjestër për këto zgjedhje: LSI-në.

Si për Bashën e për Ramën, janë kushtet më normale të mundshme për zgjedhje gjithashtu normale më 25 prill. Por, a do t’i lërë Ilir Meta që të zhvillohen të tilla? Sipas të gjitha gjasave, e siç ka deklaruar ai nuk do t’i lërë rehat…

Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT