Rama thumbon Metën dhe Bashën: Vetë me vila ne det e kodër, njerëzit i duan në kasolle

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të çuditshme të opozitës, ku nga njëra anë Lulzim Basha dhe Ilir Meta flasin për situatë “katastrofike” të pandemisë, ndërsa nga ana tjetër, Monika Kryemadhi thotë se virusi nuk ekziston.

Kreu i qeverisë thotë se do të vazhdojë përballja me koronavirusin, ndërsa projekti i rindërtimit do të ecë përpara, jo duke i futur njerëzit në kasolle e geto, siç bënë ata që kanë vila pranë detit dhe kodrës.

“Do të përballemi me armikun e padukshëm për të garantuar t’i gjitha, do të përballemi edhe me të ardhmen për të cilën do të mendojmë edhe kur rindërtojmë, se nuk rindërtojmë sa për të futur njerëzit në kasolle, si ata që kanë vila në seri sa pranë detit e kodrës, ndërsa për njerëzit mjaftohen duke imagjinuar kotece dhe geto. Do të përballemi edhe sfidën për t’u ndarë nga kodra e plehrave, do të përballemi edhe me nevojën e Tiranës dhe Durrësit për të zhvilluar infrastrukturës, ndërkohë që flasim një kantier punon ditë natë atje ku ata u mjaftuan të merrnin nga leku Shqiponjën dhe të vendosin pllakën atje, e para skulpturë pllak që unë kam parë se për ta nuk ka lidhje as e bukura, as e pastra dhe as e rregullta. Këta janë forca të shëmtimit, papastërtistë dhe rrëmujës, për ne jo. Edhe në unazën e Tiranës vijon puna, por jo vetëm aty. Ne do e hapim kantierin më të madh publik“, tha Rama.

Rama iu referua edhe deklaratës së një mjeku, që u publikua një ditë më parë nga kreu i PD, Lulzim Basha. Rama tha se për cështjen e pandemisë ka një qasje destructive, ndërsa dënoi deklaratat e Kryemadhit.

“U shfaq dje si një mjek që duhej dëgjuar me gojë hapur dhe u prezantua nga vetë ai që pretendon të jetë kryeministri i vendit. Në fakt ishte një infermier, me gjithë respektin. Por një infermier nuk mund të promovohet si ekspert dhe të japë mend për një situatë si kjo e covidi ku siç e shohim  i janë marrë mend shkencës botërore. Është një tragjedi më vete kjo qasje destruktive dhe brutale e verbërisë e atyre që fatkeqësisht nuk i kemi përballë, por i kemi prapa dhe duan të na tërheqin prapa me një marrëzi që mishërohet në figurën dhe gjestin e Monika Kryemadhit, e cila thotë se virusi nuk ekziston.

Ne do të përballemi në front, edhe me sfidën e rindërtimit dhe do ta fitojmë këtë sfidë për ata që presin të kthehen në shtëpi”, u shpreh kryeministri.

Ditën e sotme është hapur kantieri më i madh i rindërtimit në Tiranë, ku do të strehohen 11 mijë banorë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT